O.J. Simpson, ylli i futbollit amerikan dhe protagonisti i të ashtuquajturit “gjyq të shekullit”, ka vdekur në moshën 76-vjeçare njoftoi familja e tij. “Më 10 prill, babai ynë, Orenthal James Simpson, u mposht në betejën me kancerin”, thuhet në mesazhin e publikuar nga familja e tij në rrjetin X.

Më 1995, ai ishte liruar nga akuzat për vrasjen e ish-gruas së tij dhe shokut të saj, në rastin gjyqësor që u cilësua si “gjyqi i shekullit”. Simpson shmangu dënimin me burg pasi u shpall i pafajshëm për vrasjen me thikë të ish-gruas së tij, Nicole Brown Simpson, dhe shokut të saj, Ronald Goldman në Los Anxhelos më 1994. Simpson më vonë vuajti një dënim prej nëntë vjetësh burgim në Nevada, pasi më 2008 u gjet fajtor për vjedhje të armatosur dhe rrëmbimin e dy personave në një hotel në Las Vegas.

Simpson ishte një prej sportistëve më të mirë dhe më popullor në fund të viteve ’60 dhe në vitet ’70. Por, karriera e tij sportive ndryshoi pasi Nicole Brown Simpson dhe Goldman u gjetën të vrarë në shtëpinë e Nicole në Los Anxhelos më 12 qershor 1994.

Simpson menjëherë u bë i dyshuari kryesor. Ai u urdhërua që të dorëzohej në polici, por pesë ditë pas vrasjeve, ai së bashku me një bashkëlojëtar të tij u arratis. Ndjekja që pasoi nga policia përfundoi në zonën afër shtëpisë së Simpson dhe më pas ndaj tij u ngrit akuza për vrasje.

Gjykimi ndaj tij ishte ndër më të ndjekurit në Amerikë. Ai që në fillim u shpreh se ishte “100 për qind i pafajshëm” dhe kishte falenderuar gjykatësit kur e liruan nga akuzat më 3 tetor 1995. Prokurorët kishin argumentuar se Simpson kishte vrarë ish-gruan e tij, Nicole, për shkak të xhelozisë, dhe kishin paraqitur prova të ndryshme, sikurse flokë dhe teste të fibrave që e lidhnin atë me vrasjet.

Prokurorët gjatë gjykimit kishin kërkuar që Simpson të provonte një palë doreza me gjak që ishin gjetur në vendin e krimit, të bindur se ato do t’i bënin atij, dhe kështu do të vërtetonin se ai ishte vrasësi.

Në gjykatë, Simpson kishte tentuar të fuste dorën në dorezë, duke u treguar gjykatësve se doreza ishte e vogël dhe ai nuk ishte vrasësi. Pasi u lirua nga akuzat, Simpson kishte thënë se “qëllimi im kryesor në jetë është që të gjej vrasësin apo vrasësit e Nicole dhe Goldman”.

E gjithë kjo ngjarje u portretizua edhe në dokumentarin që fitoi Oscar më 2016 të titulluar “”O.J.: Made in America”, por edhe në disa dramatizime televizive.

Simpson u lind në San Francisko më 9 korrik 1947. Ai u martua me gruan e tij të parë, Marguerite, më 1967, dhe çifti pati tre fëmijë. Më 1979, ata u divorcuan.

Simpson u takua me Nicole Brown, e cila në atë kohë ishte 17-vjeçare, teksa ishte ende i martuar me Marguerite. Simpson dhe Brown u martuan më 1985 dhe patën dy fëmijë. Gjatë martesës, ajo kishte telefonuar policinë pas disa incidenteve për dhunë./REL