Vdes 66-vjeçari nga Lushnja, 59 të infektuar në total

U regjistrua mëngjesin e të mërkurës vdekja e dytë nga koronavirusi. Një 66-vjeçar nga Lushnja i cili prej disa ditësh ishte në terapi intensive me frymëmarrje të drejtuar e ka humbur betejën me koronavirusin.

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient i moshës 66-vjeçare në spitalin Infektiv, që vuante nga disa sëmundje shoqëruese: insuficenca kardiake, edemë pulmonarë dhe insuficencë renale. Prej disa ditësh pacienti ishte i intubuar (me respiracion të drejtuar) në gjendje të rëndë shëndetësore”, tha përgjegjësja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini.

Laboratori i Institutit të Shëndetit Publik vijon të kryejë analiza dhe zbulojë raste të reja. Tashmë në të gjithë vendin numri total i të infektuarve ka shkuar 59.

“Janë testuar 60 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19. Tre janë raste kontakti në gjendje të mirë shëndetësore dhe një rast i ri, një pacient 66-vjeçar që po trajtohet në terapi intensive në spitalin infektiv në QSUT”.

Në 24 orët e fundit janë shtuar rastet që kanë patur nevojë për shtrim në spital.

“30 pacientë janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani  dhe Rrogozhina).Prej tyre, tre pacientë janë në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto moment”.

Ekipet e mjekëve në shërbim infektiv kanë dhënë lajmin e mirë 54-vjeçari që u infektua nga i biri dhe që është rasti i parë i shtruar në spital, po shkon drejt shërimit.

“Gjatë ditës së djeshme, në vijim të ndjekjes dhe trajtimit shëndetësor të pacientëve të konfirmuar me COVID-19 në spitalin Infektiv, është kryer ritestimi për kontaktin e parë të pacientit zero, i cili ka rezultuar negativ. Do të vijohet me testin e radhës për të konfirmuar negativizimin nga COVID-19 për këtë pacient”.

Ndërkohë, laboratori i Institutit të Shëndetit Publik po vijon me testimin e rasteve të dyshuar me një sistem 24-orësh, për të bërë të mundur ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Tv Klan