Ndërron jetë 62-vjeçari shqiptar me origjinë nga Narta, Viktor Cenko, i cili prej tre ditësh ndodhej në gjendje të rëndë në reanimacionin e spitalit të Athinës, pas djegies nga zjarri. Ai nuk mundi t’u mbijetojë djegieve të shkallës së tretë në mbi 85% të trupit. Një ditë më parë, 5 shqiptarët e tjerë që ishin lënduar lanë spitalin, ndërsa nuk ka ende konfirmim zyrtar për dy gra që rezultojnë të zhdukura.

Vdekja e Viktor Cenkos e çon në 87 bilancin e viktimave, si pasojë e zjarrit masiv që rrafshoi rajonin e Atikës, në Greqi. Rreth 200 të tjerë janë lënduar ndërsa numri i të zhdukurve mbetet ende i panjohur, por dyshohet se është rreth 100.

Një video e publikuar në mediat greke tregon qartë makthin që përjetuan banorët e fshatit Mati, ku ishte epiqendra e apokalipsit të flakëve. Pamjet janë rrëqethëse. Flakët përparojnë furishëm ndërsa një banor i fshatit tenton të fshihet në bodrum për të shpëtuar.

Pas katastrofës së zjarreve, zona e Atikës po përballet prej ditës së djeshme me përmbytje si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjete e banesa. Si të mos mjaftonte kjo, Greqia u godit të enjten edhe nga një tërmet 4.4 ballë, duke shtuar edhe më shumë ankthin te qytetarët.

Pasi kaluan situatën emergjente, autoritetet greke janë angazhuar në identifikimin e trupave. Kryeministri Alexis Tsipras tha këtë të premte përpara kabinetit të tij se mban përgjegjësinë e plotë politike. Sot nuk është koha për dorëheqje, nuk kemi ndërmend t’ia mbathim nga përgjegjësitë, tha Cipras, i cili më herët kishte refuzuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm.

Një hetim ka nisur rreth katastrofës më të rëndë natyrore në historinë moderne të Greqisë. Autoritetet dyshojnë se zjarret mund të jenë të qëllimshme, pasi fillimisht kanë rezultuar dhjetëra vatra fillestare.

Tv Klan