Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur këtë të shtunë në veri të Greqisë. Të paktën 11 persona, të cilët besohet se ishin emigrantë që ishin futur në vend nga Turqia, humbën tragjikisht jetën, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion. Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas orës 5 të mëngjesit, pranë qytetit të Kavala.

Makina, që sipas të përditshmes Kathimerini ishte nisur drejt Selanikut, u përplas me një kamion që vinte nga ana e kundërt, duke shpërthyer në flakë.

Të gjithë ata që ndodheshin në automjet mbetën të vdekur. Ndërsa shoferi i kamionit u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Përgjatë muajve të fundit, autoritetet greke po përballen me një numër të lartë të personave që futen në mënyrë të jashtëligjshme nga kufiri greko-turk.

Shumë prej tyre shkojnë drejt Selanikut. Një moment që arrijnë në këtë qytet, këta emigrantë shkojnë në stacionet e policisë për t’u regjistruar dhe për të aplikuar për azil.

/tvklan.al