Në vendlindjen e tij akuzohej për korrupsion dhe për t’i shpëtuar burgut, vendosi që të shtirej si i vdekur. Megjithatë, vdekja e tij nuk zgjati shumë, pasi oficerët e policisë arritën ta gjenin dhe ta vinin në pranga.

Bëhet fjalë për një ukrainas, i cili ishte arratisur dhe jetonte në një kështjellë super luksoze në Dijon të Francës, ndërkohë që në vendin e tij të lindjes rezultonte i vdekur. Kjo falë një certifikate vdekjeje që kishte falsifikuar.

Në një deklaratë, Europol njoftoi të martën se kishte arrestuar të shumë kërkuarin nga Ukraina. Sipas agjencisë ligjzbatuese europiane, ai bënte një jetë luksoze në një kështjellë pranë Dijon.

Xhandarmëria franceze me mbështetjen e Europol sekuestroi asetet e tij me vlerë mbi 4 milionë euro, përfshirë një Rolls Royve Phantom vintage dhe 3 vepra arti të Salvador Dali.

I arrestuari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, kërkohej në Ukrainë për korrupsion, megjithatë ai kishte mundur që t’ia hidhte autoriteteve duke falsifikuar certifikatën e vdekjes.

Të shtiresh si i vdekur duket se po kthehet në një fenomen të zakonshëm në Ukrainë. Në Maj të këtij viti, gazetari rus Arkady Babchenko tronditi opinionin publik me vdekjen e tij false, që e kreu me ndihëm e forcave të sigurisë ukrainase, pasi dyshimeve se kishte një tentativë për ta eliminuar nga Kremlini.

/tvklan.al