Aldo Laci, një 44 – vjeçar shqiptar i cili ndodhej në Itali për pushime humbi tragjikisht jetën teksa priste bashkëshorten ne Terminalin 1 të aeroportit të Malpensës. Ai ishte nën efektin e kokainës, kur 5 oficerë e neutralizuan duke e bllokuar përtokë. Fatkeqësisht, në këtë moment Laci ndërroi jetë për shkak të një arresti kardiak.

Në një shkrim të botuar këtë të mërkurë nga e përditshmja italiane “La Repubblica” thuhet se familjarët e 44 – vjeçarit fajësojnë oficerët e policisë për vdekjen e njeriut të tyre dhe për këtë arsye kanë ngritur padi.

Ata janë të bindur se pavarësisht gjendjes së tij nga efekti i drogës, vdekja ka ardhur drejtpërdrejtë, apo si pasojë e agresionit të ushtruar nga forcat e policisë.

Sipas avokatit të familjes Laci, në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë së aeroportit, del qartë se 44 – vjeçari u godit në kokë e më pas në qafë, u shtri përtokë e më pas u godit në mënyrë të përsëritur me grushta në trup e kraharor.

Prokuroria e Busto Arsizio ka kërkuar arkivimin e kësaj çështjeje, pasi sipas saj, vdekja e shqiptarit nuk ka ardhur për shkak të dhunës së ushtruar nga një palë e tretë, ndërsa hetimet toksikologjike kanë provuar se viktima ka qenë nën efektin e kokainës.

Megjithatë, familja nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe i ka kundërshtuar konkluzionet e prokurorisë.

/tvklan.al