Këtë të mërkurë është prezantuar programi IPARD 3. Në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama tha se do të investohen 146 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale shqiptare. Rama tha se me këtë financim të tretë të BE hapet një rrugë e re për ata që duan të investojnë në bujqësi. Po ashtu, kryeministri theksoi se koha kur AZHBR-ja ishte degë partie dhe bujqësia ishte ndarë në parcela partie ka vdekur. Fermerët e pranishëm i vlerësoi për punën, ndërsa nuk i la batutat mënjanë duke u thënë se partia e tyre ishte ajo e punës

“Ju këtu jeni me një parti mbi të gjitha partitë, që është partia e punës, dakord, partia e punës. Ndërkohë që këto partitë e tjera pastaj, secili ka mendjen e vet, secili ka zgjedhjen e vet, por kur vjen puna dhe tek partia e punës ne jemi këtu për të vlerësuar të gjithë ata që parti të tyre kanë punën dhe vetëm punën në radhë të parë. Pastaj kur mbarojnë punën, shesin edhe domatet e patatet, një të diel në 4 vjet shkojnë dhe votojnë, puna e tyre. Fakti që këtu nga ky program përfitues janë të gjithë ata që flasin me punën e tyre, dhe nga ky program nuk përfitohet më përmes partisë, nuk përfitohet më përmes parasë, korrupsionit, nuk përfitohet më përmes tarafit, kuptohet nga një gjë shumë e thjeshtë. Nga fakti që Bashkimi Europian e akreditoi agjencinë në vitin 2018. Nuk e akreditonte më parë, se BE ka të gjitha strukturat dhe mekanizmat për të verifikuar se kë po certifikon. Kë të certifikonte? Si ta certifikonte?… Kur BE certifikon dhe financon do të thotë që koha kur AZHBR-ja ishte degë partie dhe bujqësia ishte ndarë në parcela partie dhe ato pak para që jepeshin, jepeshin me parti, ka vdekur”.

E teksa u ndal tek BE, Rama tha se ajo nuk të jep para nëse nuk bindet se ato do të shkojnë për atë punë që t’i po i kërkon.

BE aq sa është i mirë, aq është edhe i keq. Nuk do të dijë fare se ke apo s’ke, po nuk ishe në gjendje t’i vesh përpara projektin bindës që paratë që po të jep do të shkojë për atë punë që ti po i kërkon, nuk ti jep paratë. Shumë e thjeshtë, prandaj siç e dini dhe ju vetë, në fillim mund të keni qenë më konfuzë, mbase keni humbur edhe në pjesëmarrje të caktuara ju është kthyer mbrapsht aplikimi si i pa përshtatshëm, por keni investuar edhe në këtë pjesë, keni mësuar si bëhet projekti, si të krijoni më shumë fuqi ekspertize dhe ja ku jeni këtu. Këtë do e bëjnë të gjithë dhe duhet të bashkohen. Nuk ka rëndësi sa të madhe e ke ngastrën ka rëndësi me kë je ose s’je bashkuar. Ti mund të kesh një ngastër shumë të vogël, ti bashkohesh me atë tjetrin, atë që ka ngastrën tjetër, dhe secili merr atë që i takon. E rëndësishmja, shesin bashkë, jo veç e veç. Se kur shet veç e veç të ha ujku. Edhe përfundon duke hedhur domatet nëpër lumë, e patatet nëpër rrugë. Sepse nuk i shet dot, vijnë t’i marrin për një copë bukë, ose s’ti marrin fare. Kur bashkohesh krijon një sasi të madhe, ia le në dorë tjetërkujt t’i shesë ti merr pjesën tënde, vazhdon punën te ngastra. Ndahen punët dhe shiten bashkë, këto të dyja”.

“Këto janë veprat dhe jeni ju që i përfaqësoni këto vepra 437 projekte kemi bërë, mund të bëjmë dhe 1 mijë të tjera. Kështu që jepini forca dhe rroftë Bashkimi Europian”, e mbylli kryeministri fjalën e tij.

IPARD III është programi i BE për mbështetjen e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroturizmit, i cili u prezantua sot dhe që do të financojë 146 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale shqiptare./tvklan.al