Vedat Ademi nuk është aspak një baba tradicional. Në shumicën e rasteve kur dëshira më e madhe e çifteve dhe kryesisht baballarëve është që fëmija i parë të jetë djalë, artisti rrëfen se për të i rëndësishëm ishte shëndeti, jo gjinia e foshnjes.

Këngëtari tregoi për planet e shtimit të familjes së tij me Dorelën, si edhe dëshirën e tyre për fëmijën e ardhshëm.

Vedati nuk ngurroi as të ndante projektet e tij të reja muzikore, dy bashkëpunime që priten të vijnë në muajt Gusht-Shtator.

Rudina Magjistari: Keni ndërmend ta shtoni familjen akoma?

Vedat Ademi: Po, dëshira është, na pëlqen të kemi një vajzë, por mendojmë “Po sikur të dalë djalë?” Bekim janë gjithmonë absolutisht dhe unë s’e kam patur asnjëherë problem çështjen e gjinisë. Madje, herën e parë kur shkuam të bënim vizitat për të parë gjininë e fëmijës, doktoresha tha që “Është djalë” dhe unë nuk bëra ndonjë reagim që të binte në sy dhe i bëri përshtypje. Tha “Është djalë Vedat”, i thashë “A është në rregull gjithçka?”, “Po, por më bëre përshtypje se je edhe nga Kosova, ju doni që fëmija i parë të jetë djalë”. “Nuk ka rëndësi, mjafton të jetë mirë dhe të vijë shëndoshë e mirë”, i thashë, por gjithsesi kemi dëshirë për një vajzë.

Rudina Magjistari: Me sa di, edhe në Gusht ke diçka të re?

Vedat Ademi: Po, kam një projekt të ri për të cilin po punoj. Është në fazën e regjistrimit dhe shpresoj që në fillim ose në mes të Gushtit të dalë. Është një bashkëpunim.

Rudina Magjistari: Është një bashkëpunim këtë herë, nuk do të jesh vetëm?

Vedat Ademi: Mund ta them edhe emrin, është një artiste e re, Redina Trieshi, ka zë të veçantë, është shumë e talentuar. Edhe ajo jeton në Amerikë, ka qenë pjesë e disa spektakleve për fëmijë më përpara, mesa mbaj mend edhe te “Gjeniu i Vogël”. Kam një projekt edhe për më vonë, në Vjeshtë, me një artist tjetër shqiptar shumë të talentuar, Edon Molla. Është goxha aktiv dhe ka bërë disa herë koncerte për artistë të njohur amerikanë dhe shfaqje live në Instagram ku lidhet me artistë të tjerë. /tvklan.al