Një artist i dashur nga të gjithë, por që prej vitesh është distancuar nga skena dhe muzika duke i munguar publikut. Tashmë prej vitesh është zhvendosur në SHBA me familjen e tij, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e një kthimi të mundshëm të përhershëm. Bëhet fjalë për Vedat Ademin, një këngëtar të shquar baladash dhe zëri brilant, i cili është rikthyer me një projekt të ri muzikor.

Ai ishte pjesë e emisionit “Rudina” për të treguar të gjitha të rejat e jetës së tij profesionale dhe private pas shumë kohësh largimi nga studiot televizive.

Rudina Magjistari: Ka ardhur koha për një koncert-recital më duket mua, e ke menduar me gjithë këto këngë të bukura që ke?

Vedat Ademi: Po, patjetër që po, sigurisht kam një ide ndoshta më të madhe sesa një koncert-recital. Mendoj se është pak herët të flas me detaje, por në këtë periudhë që do të jem në Shqipëri do përpiqem të organizohem  dhe ta realizoj si projekt, qoftë koncertin-recital, qoftë atë që kam në mendje. Për mua do të jetë shumë i veçantë dhe do të jetë në njëfarë mënyre jeta, historia ime.

Rudina Magjistari: Një film për jetën tënde? Një libër?

Vedat Ademi: Herë pas here mundohem të shkruaj diçka, të mbaj shënime për idetë që më vijnë dhe shpresoj të kem mundësi ta realizoj si projekt, përveç aktiviteteve me muzikë live me bandën që unë do të jem në të gjithë vendet e Shqipërisë dhe Kosovës.

Rudina Magjistari: Projekti më i parë që ti realizove sapo erdhe, ishte pikërisht kënga “Do vij”. Një këngë e cila është lançuar e suksesshme, çfarë mund të themi rreth fabulës së saj.

Vedat Ademi: Kryesisht tema është dashuria, ka edhe disa që janë me tema sociale. Është këngë që flet për dashurinë, por me ritme vere, pak më energjike nga ato që unë bëj zakonisht, nuk mund të them eksperimentim sepse edhe muzika ka ndryshuar.

Rudina Magjistari: Ka ndonjë moment që e lidh me ndonjë histori apo ngjarje?

Vedat Ademi: Jo, është thjesht një melodi e bukur, një këngë që unë e pëlqeva dhe mendova ta realizoj, bashkë me kompozitorin e këngës që është Gent Myftaraj dhe një tekstshkrues i ri i talentuar, Kevin Kalo. Videoklipin e bëmë këtu, disa prej xhirimeve janë bërë në Tiranë dhe një pjesë është bërë në Kallm, në Durrës. Është një histori, pavarësisht se është me ritëm, këngë vere, nuk doja që të ishte vetëm kërcim ose plazh, është e ndërthurur, histori që ka dhe detin, dashurinë./tvklan.al