Përfaqësuesja e Kosovës po përjeton një nga momentet më të mira të saj. Brezi i ri i futbollistëve ka dhënë frytet e duhura dhe në fushën e lojës, teksa ai që po bën diferencën është padyshim, Vedat Muriqi. 30-vjeçari tregoi edhe njëherë është thelbësor për skuadrën, duke shënuar të tre golat në fitoren 3-1 ndaj Islandës.

Kjo fitore i siguroi Kosovës vendin në Divizionin B të Ligës së Kombeve, një arritje historike për “Dardanët”. Kjo ishte hera e parë që Muriqi përfundoi një ndeshje kualifikuese me Kosovën me tre gola të shënuar.    

Rekordi personal mbetet katër gola, të shënuar ndaj San Marinos në një ndeshje miqësore më 1 Qershor 2021, kur Kosova fitoi 4-1. Muriqi ka treguar qëndrueshmëri në shënimin e golave, duke shënuar dy herë ndaj Irlandës së Veriut, Qipros dhe Zvicrës. 

Me 31 gola në 60 ndeshje, Muriqi është golashënuesi më i mirë në historinë e Kosovës.

Muriqi shënoi golin e parë për Kosovën më 13 Nëntor 2017, në një ndeshje miqësore kundër Letonisë që u fitua 4-3. Që nga ajo ditë, ai ka shënuar të paktën dy gola çdo vit, ndërsa vitin 2021 ka qenë më i suksesshmi me tetë gola në 11 ndeshje. 

Me formën e tij aktuale, Muriqi pritet të blindojë pozitat si sulmuesi kryesor i Kosovës për shumë vite të ardhshme.

Klan News