Pas pezullimit disa ditor prej tërmetit shkatërrimtar të javës së kaluar, mësimi do të rinisë në pjesën më të madhe të shkollave të kryeqytetit. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se 90% e shkollave të kryeqytetit nuk kanë probleme. Teksa inspektoi dëmet në shkollën “Musine Kokalari” në kombinat, ndër më të dëmtuarat nga tërmeti, Veliaj shpjegoi se si do të veprohet me to.

“ Dy shkollat në Pezë dhe në Pezë të Vogël do të prishen sepse nuk mbajnë më, janë struktura të vjetra, të bëra në vitet e skamjes, që nuk mbajnë më rikonstruksion… Për disa shkolla si “Musine Kokalari”, “Ramazan Jarani”, “Lasgush Poradeci” na duhet të bëjmë një vëzhgim akoma më të thelluar”.

Ndërsa nxënësit e shkollave të dëmtuara do ta zhvillojnë mësimin në shkollën më të afërt.

“ Në ato godina që ju përmenda, ku kemi pasur probleme, do të bëjmë një transferim tek shkolla më e afërt”.

Veliaj njoftoi se brenda të martës do të ketë një panoramë të qartë dhe përfundimtare për dëmet që kanë pësuar të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat e kryeqytetit. Krahas ekipit që bën verifikimin e institucioneve arsimore, Bashkia e Tiranës ka angazhuar një tjetër skuadër të madhe që kqyr dëmet në ndërtesat e banimit.

Tv Klan