“Bashkia e Lulit luftonte kundër qendrave rinore”

Bashkia e Tiranës do të amnistojë bizneset nga një pjesë e tarifave lokale. Lajmin e bëri të ditur krybashkiaku Erion Veliaj gjatë një takimi me banorët e njësisë 5 në kryeqytet, ndërsa njoftoi se për shkak të rregullave që ka vendosur KQZ, vendimi do të merret pas 25 prillit.

“Për gjithë industrinë e kafeve, bareve dhe restoranteve që punojnë në zonën e ish Bllokut do të bëjmë një amnisti, për heqjen e taksave që i paguajnë bashkisë. Por, duke qenë se jemi në një situatë kur KQZ-ja nuk na lejon ta bëjmë këtë tani, sepse cilësohet fushatë, vendimin do ta marrim fill pas zgjedhjeve”.

Edhe gjatë këtij takimi Veliaj nuk la pa bërë dallimin mes mënyrës sesi administrohej qyteti gjatë kohës që bashkia drejtohej nga Lulzim Basha dhe mënyrës sesi drejtohet sot nga socialistët.

 “Ajo që sot është qendër rinore në Rrugën e Kavajës, dikur ka qenë klub striptizi, pronë e bashkisë. Në vitin 2014, kur isha ministër i Rinisë, i kërkuam Bashkisë së Tiranës që drejtohej nga Lul Basha, që këtë pronë të bashkisë, nga klub striptizi ta kthenim në qendër rinore, siç është sot. Mbaj mend që në atë kohë Policia Bashkiake e Lulit mbronte klubin e striptizës, që e kishte dhënë me qira. Ndërkohë, në Tiranë nuk kishte asnjë qendër rinore”.

Kryebashkiaku tha se opozita e sotme nuk ofron shpresë dhe besim, ndaj dhe anëtarë nga PD, LSI apo PDIU po i bashkohen çdo ditë Partisë Socialiste.

Tv Klan