Prej 15 ditësh banorët e Unazës së Re kanë protestuar për prishjen e banesave të tyre, pa u dëmshpërblyer. Kryebashkiaku Veliaj ka zgjedhur mbledhjen e parë të këshillit të fëmijëve në ditën ndërkombëtar të të drejtave të tyre për të sqaruar protestuesit se pronarët e banesave qe preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe do të shpronësohen 100%, ndërsa për ndërtimet pa leje Bashkia e Tiranës do të ofrojë tre vite bonus qiraje dhe mundësi për banesa sociale.

“Nuk ka asnjë arsye pse një për qind e popullsisë të ndërtojë një shtëpi 3 katëshe, ose në disa raste edhe 8 katëshe në tokën e dikujt tjetër, ndërsa prindërit tuaj do të duhet fillimisht ta fillojnë me qira, pastaj të marrin një kredi, … Jam shumë i lumtur që nga dje banorët e kanë kuptuar që ca politikanë po i përdorin dhe sot kanë shkuar të regjistrohen për t’u shpronësuar. Ky është një lajm shumë i mirë.”

Kryebashkiaku siguroi se ky projekt do t’i japë zgjidhje problemit të trafikut në një nga nyjet hyrëse në kryeqytet.

Unaza do të bëhet, kompensimin do ta marrësh, por nuk e bllokon dot qytetin

“Unaza e Re, siç është sot, nuk e përballon të gjithë atë fluks, ka shumë njerëz që vijnë nga rrethet e tjera në Tiranë. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një projekt të ri. Ne si bashki jemi përfituesit kryesorë sepse çlirohet i gjithë ai trafik te Unaza e Re.”

Me Këshillin e Fëmijëve kryebashkiaku Veliaj diskutoi edhe disa projekte të veçanta të bashkisë, si ai për ndërtimin e rrjetit të korsive të dedikuara për biçikletat. Ndërsa i ftoi ata që të vendosin një flamur shqiptar për festat e 28-29 Nëntorit.

Tv Klan