“Përmbytjet nga lumi i Tiranës, përrallë nga e kaluara”

Brenda vitit të ardhshëm do të marrë zgjidhje edhe furnizimi me më shumë ujë të pijshëm nga impianti i Bovillës. Nga Amsterdami, ku paraqiti sfidat kryesore të Tiranës në konferencën e “Javës Botërore të Ujit”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se do të dyfishohet sasia e ujit për qytetarët.

Në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit 2020, duam që për 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet të kemi zgjidhur përfundimisht shtesën e impiantit të Bovillës me dyfishimin e filtrit që sjell ujë në qytet. Duke bërë këtë, dyfishojmë edhe sasinë e ujit që shkon në të gjithë rrjetin e shpërndarjes së qytetit tonë”, tha Veliaj, i cili shtoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do të përfundojë edhe dyfishimi i linjës nga Liqeni i Bovillës tek impianti i filtrimit. 

Veliaj u ndal edhe tek problemi i kanalizimeve.

Sot Lumi i Tiranës është një përrallë nga e kaluara, por kjo nuk do të thotë se sfidat kanë mbaruar. Ende duhet të përfundojmë, bashkë me qeverinë shqiptare, impiantin e pastrimit të ujërave të zeza në Kashar. Shumë prej atyre që sot ankohen për kanalizimet, në fakt ishin qeveritë ku i menaxhonin projekte të tilla dhe e zhgënjyen jo vetëm popullin e tyre, por edhe komunitetin e donatorëve, posaçërisht ata japonezë, që kanë financuar me JICA atë proces. Megjithatë, bashkë me qeverinë, kemi vendosur që ta riaktivizojmë këtë proces, që zgjidh përfundimisht çështjen e kanalizimeve për gjysmën e Tiranës”.

Sipas kryebashkiakut Veliaj, në fokus të Bashkisë janë ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit të lagjeve të kryeqytetit, të cilat janë tejet të amortizuara.

TV Klan