Në një kohë kur të gjitha ekipet e emergjencës për evidentimin dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i sotëm ndodhen në terren, Bashkia e Tiranës ka hapur të gjitha qendrat sociale për banorët që kanë nevojë për strehim, ushqim apo përkujdesje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Ervin Bushati, vizituan të prekurit në qendrën sociale “Misto Mame” në Kombinat, ku theksuan se banesat e pabanueshme do të rindërtohen.

“Kemi hapur të gjitha qendrat sociale të Tiranës, kryesisht për të strehuar të moshuarit e vetmuar. Ka shumë të rinj që jetojnë jashtë dhe prindërit i kanë vetëm, ndaj është detyra e bashkisë që për këtë kategori, që janë edhe më vulnerabël, të jemi më të vëmendshëm. Qendrat tona sociale do jenë të hapura 24/7, ka ushqim, batanije, shërbim mjekësor”, tha ai, ndërsa kërkoi prej administratorëve në komunitet që të raportojnë çdo problematikë. “Bashkia e Tiranës ka qenë në gatishmëri që në orën 04:00 të mëngjesit. Kemi pasur mbi 70 familje që janë bllokuar në shtëpi për shkak të bravave të dyerve, 8 pallate me ashensorë të bllokuar, megjithatë i kaluam pa humbje jetësh”, tha ai.

Kryebashkiaku garantoi se të gjitha shtëpitë që janë bërë të pabanueshme nga ky tërmet do të rindërtohen nga e para, ndërkohë që do të fillojë edhe ndihma me ushqime, veshje dhe me elektroshtëpiake. “Duke filluar nga dita e nesërme do të kemi një aksion për mbledhjen e ndihmave, jo vetëm ushqime dhe veshmbathje, por edhe elektroshtëpiake, krevate etj, siç bëmë për tërmetin e datës 21 shtator, kur ndihmuam të rindërtoheshin shtëpitë e reja; kështu do të bëjmë edhe pas këtij tërmeti. Çdo shtëpi e dëmtuar, do të bëhet nga e para; mesa duket kjo është një sprovë të cilës nuk i bëjmë dot bisht, por thjesht duhet ta përballojmë me dinjitet dhe të fillojmë rimëkëmbjen në Tiranë”, tha Veliaj.

Teksa shprehu ngushëllimet për familjet që kanë humbur të afërmit e tyre në Thumanë dhe në Durrës, Veliaj bëri të ditur se Tirana do të ofrojë ndihmën e saj për kapërcimin e këtij momenti të vështirë. “Ngushëllime për të gjitha familjet që kanë humbur të afërmit e tyre në Thumanë dhe në Durrës. Është një situatë tragjike, i gjithë populli i Tiranës është me ta dhe nga nesër, sapo të kemi mbaruar emergjencat, do shohim besoj një valë solidariteti të Tiranës edhe për qytetet e tjera të prekura. Do solidarizohemi sot edhe me Thumanën. Bashkia e Tiranës do të akordojë një fond, siç bëmë radhën e kaluar edhe me Durrësin e Kamzën”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Veliaj nënvizoi se ky është një moment solidariteti, ndaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të japin ndihmën e tyre. “U kërkoj të gjithë qytetarëve solidaritet. Ky është momenti jo për të bërë gjyqin, se s’kemi çfarë gjyqi t’i bëjmë natyrës, kjo është jashtë fuqive tona. Ajo që mund të bëjmë është të sillemi me njerëzillëk, me dashamirësi, të vëmë më të dobëtit në qendër të vëmendjes, sidomos të moshuarit dhe fëmijët. Jam i bindur që do tregojmë se jemi një komb që siç rrëzohemi, ashtu dimë të ngrihemi, dhe me shumë solidaritet besoj që Tirana do ta kalojë këtë fazë”, nënvizoi ai.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës po punon edhe për verifikimin e të gjitha institucioneve arsimore, shkollave dhe çerdheve, përpara se të merret vendimi për hapjen e tyre. “Po bëjmë inventarizimin e shkollave. Fatmirësisht asnjë nga shkollat e Tiranës nuk është shembur nga tërmeti. Por do të bëjmë një verifikim total dhe do shfrytëzojmë edhe ditët e pushimit për çfarëdo lloj suvaje apo ndërhyje që duhet të bëjmë, që të mos marrim asnjë risk. Për shkollat private që kanë pasur dëmtime do i akomodojmë gjithashtu në shkollat publike. Ata mund të marrin turnin e dytë. Për ne, fëmijët e Tiranës janë të gjithë njësoj, nuk ka fare rëndësi nëse janë privatë apo publikë, për sa kohë që shkollat private kanë pasur dëme, mund t’i akomodojmë tek shkollat publike”, deklaroi Veliaj.

Prej orës 4 të mëngjesit të sotëm të gjitha ndërmarrjet dhe forcat e emergjencave të Bashkisë së Tiranës ndodhet në terren për t’u përballur me pasojat e tërmetit të fortë që përfshiu Tiranën dhe Durrësin. Herët në mëngjes kryebashkiaku Veliaj mblodhi Shtabin e Emergjencave të Tiranës ku bëri edhe një përmbledhje të situatës së krijuar në territorin e saj, ndërsa theksoi se të gjitha forcat e bashkisë janë në ndihmë atyre që kanë nevojë. Ai theksoi se janë urdhëruar emergjencat që menjëherë sapo të bëhet evidentimi i situatës të nisin edhe shpërndarja e ndihmave./tvklan.al