“PD nuk përfaqëson interesat e qytetareve”

Për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, Partia Socialiste hyn në zgjedhjet e 25 prillit për të marrë një rezultat më të mirë se ai i vitit 2017. Gjatë një takimi me banorët e njësisë 10 ai theksoi socialistët e kanë garën me veten e tyre.

“Kur je kampion historik i këtij vendi, i këtij qyteti, i kësaj Njësie, siç është PS, atëherë garën e kemi me veten tonë. Ne duhet të dalim më mirë se rekordi i fundit që kishim në vitin 2017. Vetëm nëse ne e ndajmë fushatën tonë në ditë, ku secili prej nesh kontribuon, secili prej nesh shton dikë tjetër, secili prej nesh e shumon familjen tonë me një shok, me një shoqe, me një mik, vetëm atëherë ne do të arrijmë një fitore që është më e madhe se 2017”.

Veliaj u ndal edhe tek Partia Demokratike, për të cilën tha se nuk përfaqëson interesat dhe shqetësimet e përkrahësve të saj.

“Takova plot në njësi të shqetësuar se kur do të fillojë shkolla dhe si do të jenë turnet. Ky tingëllon si një hall që e kemi dhe ne. Ishin të shqetësuar nëse dëmshpërblimet e tërmetit do të jepen para Vitit të Ri dhe do jepen, por ky është një hall si hallet tona.  Ndërkohë po të shohësh hallet e Lulit? E dëgjuat sot në lajme? Tani jam i bindur dhe më besojnë të gjithë, ai nuk do i ndahet inceneratorëve derisa ata të paguajnë gjobën. Nuk iu nda Rrugës Durrës-Kukës. Sa mori gjobën, e la. Ju kujtohet? Një muaj thoshte “kullat-kulla”. Sa mori lekët e kullave, e la”.

Sipas Veliajt, Partia Socialiste është e fokusuar tek interesat dhe shqetësimet e banorëve.

Tv Klan