“Jo vetëm qendër dixhitale, por multifunksionale”

Kryebshkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe arkitekti Winy Mass kanë inspektuar së bashku ecurinë e punimeve për trasformimin e piramidës.

Veliaj vuri në dukje se një pjesë e piramidës do të funksionojë si qendër e formimit dixhital të të rinjve, ndërsa pjesa tjetër do jetë në funksion të aktiviteteve të tjera.

“Një nga vendimet e rëndësishme është se nga 5 katet e piramidës, vetëm dy kate do t’i përdorim për shkollën Tumo, tre të tjerat do të jenë të hapura për publikun. Pra, do të jetë një mundësi që prindërit teksa presin fëmijët, te shohin një panair, ose të përdoret nga ekipet e teknologjisë ose nga kompani start-up.

Ne duam që i gjithë qyteti të ketë akses te Piramida. Kështu që, praktikisht ndërtesa i rikthehet qytetit. Për sa i përket fasadës, të gjithë fëmijët e viteve 80 dhe 90-të, duan atë rrëshqitesen e famshme, por disa janë mësuar me festivalin e filmit dhe me kinemanë verore, por edhe gjelbërim”.

Arkitekti i projektit të transformimit të piramidës Winy Mass dha disa detaje më specifike dhe stadin e punimeve në terren.

“Është emocionuese, jemi afër përfundimit. E kemi hapur ndërtesën dhe e kemi përshtatur në një mënyrë që krijon më shumë hapësirë dhe akses për publikun. Kemi filluar të testojmë shkallët, në mënyrë që të japin më shumë siguri për njerëzit që do i përdorin. Jemi duke punuar me fasadën për ta mbajtur sa më të hapur të jetë e mundur”.

Projekti i rivitalizimit të piramidës së Tiranës synon transformimin e saj në një qendër multifunksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese.

Plani synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa është e arritshme nga të gjitha anët.

Tv Klan