Viti 2017 nisi i begatë për kryeqytetin, ku në sekondat e para pas mesnate, kanë lindur edhe dy fëmijët e parë, Deisi dhe Sotiri. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në spitalet universitare Obstetriko ­ Gjinekologjiko “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”, ku u dorëzoi çekun e bebes prindërve të fëmijëve. Veliaj tha se kjo është një mënyrë për t’i uruar mirëseardhjen qytetarëve më të rinj.

“Jam shumë i lumtur sot që jam me dy prindër të mrekullueshëm, që kanë bërë një superbebe sekondat e para të vitit. Ne kemi pasur me sa duket një vit të begatë, sepse në sekondat e para lindi Sotiri dhe Deisi që lindi te materniteti tjetër. Në total, ka pasur 20 lindje në Tiranë. Do të thotë që ky do të jetë një vit i begatë për Tiranën”

, u shpreh Veliaj.

Veliaj te materniteti Koco Gliozheni (3)

Kryebashkiaku tha se beson te një qytet i mundësive për të gjithë ata që jetojnë në Tiranë.

“Për ne është gjithmonë lumturi kur çifte të reja shtohen në Tiranë,  kanë familjen e tyre, punën e tyre dhe unë dua që ky të jetë qytet i mundësive, duke filluar nga çeku i parë për Sotirin, tek mundësia për të shkuar në një çerdhe më të mirë, në një kopsht më të mirë e pastaj për t’u bërë superqytetar për Tiranën. Unë besoj se nga prindër të rinj të mrekullueshëm, dalin qytetarët të mrekullueshëm”, deklaroi Veliaj.

Ai falenderoi edhe stafin e mjekëve që u përkujdesën gjatë gjithë natës.

Veliaj te materniteti Koco Gliozheni (2)

E emocionuar nga lindja e djalit, Entela Shehu, falënderoi stafin e mjekëve dhe theksoi se ky është momenti më i bukur i jetës së saj që e ka pritur prej vitesh.

“Është momenti më i bukur i jetës sime. E kam pritur prej shumë vitesh dhe jam shumë e lumtur që po e ndaj me të gjithë këtë moment kaq të bukur. Gëzuar, qoftë një vit i mbarë, harmoni dhe paqe kudo”,

tha Shehu.

Mbrëmjen e djeshme Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka zgjedhur që darkën e fundvitit ta kalonte me punonjësit e zjarrfikësve të cilët, pavarësisht festave, janë gjithmonë në gatishmëri në shërbim të qytetarëve për  çdo emergjencë. Gjatë kësaj darke, Veliaj siguroi punonjësit e shërbimit zjarrfikës për më shumë siguri dhe kushte më të mira pune. Ai falënderoi gjithashtu punonjësit e zjarrfikësve të qytetit të Tiranës për punën e bërë gjatë këtij viti.

Veliaj gjate darkes se fundvitit me zjarrefikesit (1)

Ndërkohë, ardhjen e Vitit të Ri 2017, Veliaj e priti në sheshin “Nënë Tereza” së bashku me qytetarët e shumtë të cilët ndoqën koncertin e madh festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës. Veliaj uroi shqiptarët dhe kërkoi prej tyre që të vijojnë të punojnë fort e të jenë optimist për një vit më të mbarë. Në koncertin e madh festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës, qytetarët e shumtë patën mundësi të dëgjonin muzikën më të mirë të momentit dhe të shijonin spektaklin e fishekzjarrëve./tvklan.al