“Jam një avokat i madh i shëndetit publik dhe i shërbimeve”

Kryebashkiaku i Tiranës është një nga të shëruarit prej Covid-19, që u bë dhurues i plazmës për të trajtuar të sëmurët aktualë. I shoqëruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe shefja e Spitalit Covid 1, Veliaj apeloi për shtim të dhurimeve.

“Për 6 mijë të tjerët që e kanë kaluar si puna ime, në fakt nuk është bukur që të kemi vetëm 50 dhurime, kështu që lipset që këta 6 mijë që e kaluan e që kanë antitrupa, nëse kanë kaluar 2-3 javë dhe kanë filluar antitrupat ju lutem dhuroni, dhuroni, dhuroni”.

Veliaj vlerësoi sakrificën e bluzave të bardha në ketë betejë, si dhe gatishmërinë e të gjithë sistemit publik.

“Unë jam një avokat i madh i shëndetit publik dhe i shërbimeve publike që ofrohen në vendin tonë. Djali im lindi në një spital publik vetë, pasi u referova nga mjeku i familjes në momentin që kisha më shumë vështirësi u ndoqa nga sistemi publik. Unë besoj fort, që nëse ne që drejtojmë nuk besojmë tek publikja atëherë sigurisht dikush tjetër humbet gjithashtu besimin”.

Me ardhjen e vjeshtës në Tiranë do të nisë një fushatë për vaksinimin e qytetarëve nga gripi stinor në të gjitha njësitë administrative.

Tv Klan