Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku foli për fushatën elektorale të qarkut që ai drejton. Por ndër të tjera, drejtuesi politik i PS-së për Tiranën u pyet drejtpërdrejt nga gazetarët e pranishëm në studio nëse do të jetë ai trashëgimtar i Edi Ramës në krye të selisë rozë.

Veliaj nuk iu përgjigj kësaj pyetje, por tha se do të jetë në krah të Ramës pasi mendon fuqishëm që vendit i duhet një lider si ai. Ndër të tjera, Veliaj pohoi se do të kandidojë pas dy vitesh për mandatin e tretë në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Rama jo vetëm që nuk këputet në zgjedhje, por do të thyejë një rekord në këto zgjedhje. Unë jam në krah të Edi Ramës dhe në çdo orë të ditës jam një avokat i faktit që Shqipërisë i duhet një lider i fortë si Edi Rama.

Unë për dy vjet e dhënë zoti të kem bekimin e këtij qyteti, do garoj për mandatin e tretë si kryetar bashkie i Tiranës. Kjo është dashuria e jetës sime, ky është pasion i jetës sime. Ky është obsesioni me të cilën zgjohem në mëngjes, e di që duhet të çohem të bëj punë të vështirë. Ca njerëz mërziten, ca njerëz gëzohen, por duhet të marr vendime të drejta. Me Edi Ramën kam një kënaqësi të madhe të bashkëpunoj dhe sot duke qenë se e njoh prej 15 vitesh përditë, jam garant i faktit që ky është një njeri i fortë në një moment të vështirë për Shqipërinë, na duhet dikush që është zgjuar në 4 të mëngjesit dhe jo që fle gjumë. Na duhet dikush që mirë keq i merr vetë vendimet e veta dhe jo gjiri i Lalëzit. Ky është Edi Rama”, tha Veliaj. /tvklan.al