Veliaj: Hedhim spirancën e zhvillimit në veri të Tiranës

Të gjitha shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës do të jepen në një godinë të vetme, e cila do të ndërtohet në bulevardin e ri. Kryebashkiaku Veliaj lajmëroi çeljen e garës për projekt-idenë e ndërtesës së re e cila do të jetë me zero gjenerim karboni dhe e pavarur nga energjia e rrjetit.

“Jam shumë i lumtur sot që në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, shpallim një konkurs për një ndërtesë të re të Bashkisë së Tiranës, një ndërtesë administrative me rreth 1200 poste pune, e cila besoj do hedhë spirancën e zhvillimit në veri të qytetit”.

Godina aktuale e Bashkisë do të ketë karakter ceremonial dhe do të shërbejë si seli e kryetarit.

“Është ndërtesa klasike dhe ndërtesa në zemër të qytetit, kilometri zero i Shqipërisë, nga ku fillojnë e maten të gjitha distancat”.

Veliaj foli dhe për teatrin e ri, puna për të cilin do të nisë së shpejti.

“Për të gjithë ata që thonë kur do prishet, kjo nuk është sipas qejfit, por sapo të kenë mbaruar të gjitha procedurat, sapo të shkojë në Parlament kontrata e re, të jepet leja për Teatrin e ri dhe ne do të kemi teatrin më të bukur në të gjithë Europën Juglindore”.

Së shpejti, Bashkia pritet të hapë konkursin edhe për qendrat e reja të qytetit që do të shërbejnë si pole të zhvillimit, si Kombinati apo Kinostudio.

Tv Klan