“Autorët po rikthehen si ofertë e re politike”

21 janari është konsideruar si ditë reflektimi nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili shprehet se ende nuk ka drejtësi për 4 viktimat.

“Si ka mundësi që u vranë 4 vetë për bllokun e Ilirit dhe të Monikës, me urdhër të Saliut dhe Lulit, dhe nuk ka ende drejtësi? Lajmi i mirë është se pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar kanë ikur nga drejtësia. ..! Shumë njerëz mbase nuk e kuptojnë se, sado të dojë Edi Rama dhe qeveria, drejtësia është pushtet më vete, ndaj fillimisht duhej pastruar. Tani, drejtësia e re duhet të marrë përgjegjësitë që nuk i mori drejtësia e vjetër. Drejtësia e re duhet të japë një verdikt!”

Kryebashkiaku tha se oferta politike e propozuar nga PD-ja dhe LSI-ja është kthim prapa.

“Tani, këta kriminelë rikthehen si ofertë e re politike, së bashku me Monën dhe Ilirin, të cilët ishin sebepçinjtë e vrasjeve. Rikthehen së bashku me ish-prokurorët e ish-gjyqtarët që i nxori jashtë vettingu, na i sjellin ata dhe pjellën e tyre si kandidatë për deputetë në Parlamentin e ri! Këtë pastaj, e shesin si ndryshim. Por, ky është ndryshim për keq, është kthim prapa, për të risjellë kriminelët dhe memet e tyre në pushtet”.

Veliaj kërkoi që asnjë të mos harrojë ato çfarë kanë ndodhur.

“Ajo që sot po na shitet si ndryshim, në fakt është një rikthim te pjesa më e ndyrë e 30 viteve të tranzicionit. Në 25 prill duhet të ringrihemi më të fortë e të mos i harrojmë ata që i shkaktuan këto plagë të paimagjinueshme. Ata nuk janë nocione abstrakte, por kanë emra: quhen Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta e Monika Kryemadhi”.

Deklaratat, kreu i Bashkisë së Tiranës i bëri teksa shpërndau çelësa të shtëpive të reja në zonën e Bërzhitës. 

Tv Klan