Kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj ka firmosur nga burgu zëvendësimin e Anuela Ristanit nga posti i kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës. Bëhet e ditur se Veliaj këto kompetenca ia ka deleguar nënkryetares tjetër të Bashkisë, Sara Goxhaj.

Në vendimin e Veliajt theksohet se Sara Goxhaj do të kryejë përkohësisht edhe detyrat e kryetarit të bashkisë Tiranë nga data 19 Mars, deri në një urdhër të dytë.

“Znj, Sara Goxhaj, Nën/kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryejë përkohësisht edhe detyrat e kryetarit të bashkisë Tiranë. Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë.

Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit për qytetarët për zbatimin e këtij urdhri”, thuhet në dokument.

Ndërkohë kjo shkresë e Veliajt mban datën 18 Mars. Kujtojmë se pas arrestimit të kryebashkiakut këtë detyrë e mbante Anuela Ristani nga 11 Shkurti deri ne 18 Mars kur u firmos vendimi tjetër.

Vendimi i firmosur nga Veliaj

/tvklan.al