“Ta mbajmë hapur PS për një fitore edhe më të madhe”

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u ndal këtë fundjavë në njësitë rurale të kryeqytetit për fushatën e anëtarësimeve të reja. Ai bëri thirrje që dera e partisë të mbahet gjithmonë hapur për këdo që dëshiron t’i bashkohet familjes socialiste.

“Ta mbajmë hapur këtë derë dhe ta mbajmë hapur partinë, si e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhmen dhe për të pasur një fitore edhe më të madhe vitin që vjen”.

Veliaj thotë se edhe kundërshtari më i madh i partisë, ka fituar gjatë qeverisjes së socialistëve. Kjo sipas tij falë rritjes së vlerës së pronës si pasojë e investimeve.

“Fakti që është rritur vlera e pronës, do të thotë se edhe ai që na shan dhe rri tërë ditën në divan duke dhënë mend se si bëhet kjo punë, është bërë më i pasur, edhe duke mos na votuar. edhe kundërshtari më i madh sot është më i pasur. Kur qeverisin socialistët, bëhet qytet, bëhet shtet dhe përfitojnë të gjithë”.

Në orët e pasdites Veliaj e vijoi turin e anëtarësimeve të reja në Njësitë Petrelë, Farkë, Baldushk, ku ironizoi kundërshtarët politikë, të cilët sipas tij përjashtojnë njerëz nga partia dhe nuk i ka mbetur asnjë nga rreth 300 themeluesit e saj.

Tv Klan