“Aleanca jonë është me njerëzit e ndershëm”

Një tjetër familje në Farkë ka marrë në dorë çelësat e banesës së re të rindërtuar pas shembjes nga tërmeti i Nëntorit të 2019. Vizita e parë ju bë nga kryebashkiaku Veliaj.

“Fakti që edhe një kuksian ndihet mirë, por edhe një nga Këlcyra ndihet mirë, edhe një tropojan ndihet mirë, edhe një nga Tepelena ndihet mirë, do të thotë se kemi arritur të krijojmë Tiranën si një familje. Në Farkë kemi mbaruar 99 shtëpi, por kemi edhe 120 të tjera për të bërë. Nuk e lëmë dot punën në mes, kështu që duhet të japim të gjithë nga një dorë”.

Kryebashkiaku pohoi se shumica e njerëzve e duan zhvillimin, ndaj dhe e mira do fitojë sërish më 25 Prill.

“Fryma pozitive që kemi këtu në Farkë, ku nuk kuptohet kush është vendali e kush ka ardhur nga Kukësi, se këtu njerëzit sillen sikur kanë shekuj që njihen me njëri-tjetrin, – është fryma që na duhet. Kur jemi bashkë i mundim të gjithë, se njerëzit e mirë janë shumica, njerëzit e drejtë janë shumica, njerëzit punëtorë janë shumica. Nuk na duhen aleanca të tjera. Na duhet aleanca me njerëzit e ndershëm, se po patëm njerëzit e drejtë dhe punëtorë nuk na del kush përpara”.

Veliaj shtoi se kryeqyteti do vijojë të rritet, ashtu siç është rritur edhe vlera e pronës çdo vit.

Tv Klan