Sassoli: Tirana, qytet evropian. Shqipëria gati për në BE

Shqipëria është gati për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Tirana është “pasaporta” më e mirë e vendit në Europë. Ka qenë kjo deklarata e Presidentit të PE, David Sassoli gjatë takimit me kryebashkiakun Erion Veliaj.

“Ka një këndvështrim të përbashkët, që është jo vetëm integrimi që shpresojmë të bëhet shumë shpejt realitet, por mbi të gjitha i një trashëgimie të përbashkët që quhet Evropë dhe që duam ta bashkërendojmë me Shqipërinë. Unë kam parë një qytet evropian, që paraqitet si një qytet evropian dhe ky për ne është imazhi më i mirë që një qytet mund të japë. Jemi të sigurt se Shqipëria është gati për këtë proces, është vetëm çështje e disa burokracive, por ka një frymë që na përket dhe është e përbashkët”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dhuroi Presidentit Sassoli “Çelësin e Qytetit”.

“Me një njeri të shtëpisë flasim hapur për problemet që kemi, për sfidat, por edhe për mundësitë. Vërtetë kemi vështirësi, por çdo vështirësi është një mundësi. Me fjalët e kryetarit kemi një mundësi të jashtëzakonshme për t’u integruar me BE”.

Sipas Veliajt, transformimet në kryeqytetit dhe projektet infrastrukturore kanë përmirësuar jetën në Tiranë.

Tv Klan