Komedia “Tre dhëndurët” është vetëm ristarti i aktores Hajrie Rondo në skenë. Pasi fitoi betejën e jetës me sëmundjen, në një takim me Kryebashkiakun e Tiranës ajo premtoi se rruga e nisur prej vitesh në skenë do të vazhdojë.

Hajrie Rondo:

“Kur dy zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, më bënë ofertën isha në dilemë: ta marr apo jo? Të rri në shtëpi, të mbyllem dhe të bashkëbisedoj e trishtuar me sëmundjen, apo t’i them asaj def, ik tutje sepse kam punë? Zgjodha këtë të dytën, bëra mirë dhe ia dola.

Betohem dhe të jap fjalën se do të luftoj, do të luftoj fort t’i ngjis prapë ato shkallë, ajo është shtëpia ime.”

Për dhjetëra role të luajtura në teatër dhe film, në shenjë vlerësimi Kryebashkiaku Veliaj i dorëzoi aktores Medaljen e Mirënjohjes.

Erion Veliaj:

“Për ne është një bekim, një inkurajim i jashtëzakonshëm që more përsipër këtë sfidë dhe duke marrë përsipër këtë sfidë, i ke dhënë kurajë kaq shumë djemve, vajzave, njerëz që ndoshta po kalojnë vështirësi me dramat e tyre, por duke parë kurajën tënde sot janë bërë me krahë.”

Komedia “Tre dhëndurët”, e shkrimtarit shqiptar Dionis Bubani ka nisur të shfaqet në Teatrin Metropol prej ditës së enjte, 20 Tetor dhe do të vazhdojë të vihet në skenë deri në mesin e muajit Nëntor.

Tv Klan