“Asnjë leje për grupe interesash, të lidhura me biznese të paverifikueshme”

Në përgjigjen për akuzat e Partisë Demokratike, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kushdo që ndërton në Bashkinë e Tiranës ka një emër dhe mbiemër, kurse lejet e ndërtimit kanë dosje transparente për mënyrën e financimit.

“Kushdo që ndërton në Bashkinë e Tiranës ka një emër dhe mbiemër, kurse lejet e ndërtimit kanë dosje transparente për mënyrën e financimit. Dëshirat e mafies italiane për t’u futur në industrinë e ndërtimit janë dëshira të tyre dhe të PD-së. Ne nuk ndalojmë dëshira, por veprime konkrete! E vërteta është se asnjë leje e Bashkisë së Tiranës nuk është e ndikuar nga grupe interesash, të lidhura me biznese të paverifikueshme”.

Veliaj e ka quajtur Grida Dumen një trafikante apartamentesh dhe paralajmëroi një padi në gjykate për shpifje.

“E vetmja gjë e paverifikuar për ne, mbetet se si Grida Duma u bë investitore pallatesh vite më parë, duke përfunduar në gjyqe për mashtrime dhe duke lënë burgjeve partnerët e saj në biznes. I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë cilindo që tenton të flasë në emër të Bashkisë së Tiranës apo të çdo institucioni tjetër lidhur me histori të tilla. Ndërkohë, Grida Duma do të duhet ta provojë në gjykatë shpifjen e saj të radhës, njësoj si 7 herët e tjera kur zyrtarët e PD-së janë gjykuar e shpallur si shpifës nga drejtësia!”

Ndërkohë në një takim me strukturat e socialistëve të Rrogozhinës, Veliaj tha se në këtë fushatë do të dëgjohen shumë çudira, duke ironizuar akuzat.

“Do dëgjoni në këtë fushatë çudira, ku do dalim që kemi qenë shokë çerdheje me Eskobarin, lloj-lloj çudirash. Strategjia e Saliut ka qenë përça dhe sundo. I ka funksionuar në vitet ‘90. Hidhte helmin e vet, përçante veriun dhe jugun.  Përçante myslimanë me të krishterë, përçante fshatin me qytetin. I funksionoi, por tani shqiptarët kanë parë botë me sy, dinë çfarë janë lajmet e rreme. Ata mund të hedhin helm, ata mund të marrin portale, ata mund të paguajnë rrjetet sociale që vënë gjoba, ata mund të bëjnë çfarë të duan. Por ne socialistët jemi të fokusuar tek data jonë, te kutia e votimit”.

Veliaj shigjetoi opozitën se po fut në parlament prokurorë e gjyqtarë të larguar nga vetingu që tani janë subjekt i OFL-së.

“Lajmi i parë i mirë i kësaj fushate është që Partia Socialiste është në majë. Lajmi i dytë i mirë është se një parti familjare, ose më saktë një sh.p.k, e atyre që kanë 30 vite që bëjnë lëmsh Shqipërinë, po reduktohet kokoshi një thelë. Nuk mund të ketë forca politike që në vitin 2021 marrin prokurorë dhe gjyqtarë, që i ka përzënë vettingu dhe janë objekte të OFL-së, e na i sjellin për t’i futur në parlament”.

Por në një reagim, Partia Demokratike tha se Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj janë të frikësuar dhe se po përpiqen t’i mbyllin gojën kujtdo që thotë të vërtetën. Opozita thotë se nuk i trembet asnjë procesi gjyqësor që tenton të imponojë heshtjen, pasi është në mbrojtje të interesit publik të shqiptarëve.

Tv Klan