“Ndërtesat problematike numërohen me gishtat e dorës”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i konsideron politike dhe në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore akuzat e opozitës për katet pa leje në kryeqytet. Teksa mori pjesë në prezantimin e projekteve për qendrën mutifunksionale, ai u shpreh se ndërtesat me probleme në Tiranë numërohen me gishtat e dorës.

“Ne ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë se çfarë ndodh dhe si adresohet anomalia në kushtet kur në katin 24 apo të 25 është e pamundur prishja ose le të themi, rikthimi në situatën origjinale të një shkelje, apo të një anomalie. unë besoj se na duhet një pakt kombëtar që të paktën të mos fyejmë, të mos shajmë, të mos e njollosim vendin tonë”, tha Veliaj.

Ai tha se opozita nuk ka vizion dhe shpresa e vetme për të fituar Tiranën në zgjedhjet e ardhshme vendore janë konfliktet e mundshme brenda mazhorancës.

“Kush mendon se i vetmi shans që ata [opozita] të fitojnë ndonjëherë në këtë qytet ose në këtë vend është që unë dhe Edi Rama të kemi konflikt, do ju bëhen gjunjët me kallo duke u lutur për diçka që s’ka për të ndodhur kurrë. Por nëse janë vetëm në këtë shpresë, do të thotë se janë komplet vulëhumbur,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Kryebashkiaku tha se i gjithë zhvillimi që ka pësuar Tirana në këto 8 vite ka bërë që të rritet vlera pronës për të gjithë.

Tv Klan