Rikonstruktohen 5 godina studentore tek “Qyteti Studenti”. Gjatë inspektimit të punimeve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se standardi i ofruar në këto godina do të jetë etaloni i ndërtimtarisë në Shqipëri.

“Ne e trajtojmë me shumë seriozitet raportin që kemi me KfW sepse duam që, këto 5 godina, të jenë vetëm 5 dallëndyshet e para. Sot, godinat po bëhen aq dinjitoze, saqë jo vetëm studentët shqiptarë, por edhe studentët e huaj të Kolegjit të Evropës, do të transferohen këtu. Kjo të thotë se do ketë një standard si çdo kampus tjetër në Evropë”.

Sipas Veliajt sot “Qyteti Studenti” ofron një realitet të ri për të rinjtë që vijnë në Tiranë.

“Po punojmë me teknologjinë e fundit dhe besoj se në shtator do të kemi një super surprizë për studentët. Do të vijnë në kushte që, nuk hezitoj ta them, do jenë më të mira se shumica e shtëpive që kanë lënë dhe shumica e hoteleve të Tiranës”.

Të tjera godina të Qytetit Studenti pritet t’i nënshtrohen rehabilitimit të plotë nga bashkëpunimi i Bashkisë së Tiranës me bankën gjermane për zhvillim.

Tv Klan