Në kuadër të riorganizimit të shërbimit për transportin urban, Bashkia e Tiranës ka nisur inspektimin e të gjitha linjave të autobusëve për të kontrolluar cilësinë e shërbimit që u ofrohet qytetarëve. Sot, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zgjodhi të inspektojë linjën e re të Kasharit, e cila i është shtuar së fundmi linjave të transportit publik në qytet, duke ndikuar në përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimit krahasuar me vitet e mëparshme.

Për rreth 70 minuta, Veliaj udhëtoi përgjatë gjithë linjës, e cila u vjen në ndihmë banorëve që jetojnë në disa nga zonat më të populluara të kryeqytetit, si zona e Kasharit, e Yzberishtit, dhe zona rreth Unazës së Re. Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se krahasuar me vitet e mëparshme, transporti publik në kryeqytet ka pësuar një transformim të thellë, si përsa i përket pajisjes me autobusë të rinj, ashtu edhe përmes shtimit të linjave të reja.

“Pata mundësinë të udhëtoj për 1 orë e 10 minuta në linjën unazore të Kasharit, e cila i shërben një pjese të re të Tiranës, që më parë ishin pjesë e ish-komunës. Më parë çmimi i biletës ka qenë 50 lekë, kurse sot është 40 lekë; më parë as aboneja nuk njihej, kurse sot qytetarët mund të udhëtojnë me abone. Për ata që jetojnë në Kashar, Yzberisht, në zonën e Astirit apo rreth Unazës së Re kjo linjë është ideale, me autobusë të rinj dhe me cilësi shumë më të mirë. Duke qenë se e provova vetë e në mënyrë rastësore udhëtova në disa prej autobusëve të kësaj linje, mund të dëshmoj se shërbimi është si dita me natën, krahasuar me ku kemi qenë”

, tha ai.

Veliaj gjate udhetimit ne nje prej linjave te transprotit urban (5)

Veliaj deklaroi se përmirësimet në transportin publik do të vijojnë dhe njoftoi nisjen e zbatimit për herë të parë në Shqipëri të biletës elektronike, ndërsa garantoi për një shërbim dinjitoz për të gjithë ata që zgjedhin të udhëtojnë me autobusë.

“Këtë vit do të kemi përmirësime përsa i përket biletës elektronike. Por, si fillim, kemi shtuar këtë linjë të re dhe kemi hequr disa linja rurale, të cilat kishin autobus më të këqij, shërbim më skandaloz e çmim më të lartë të biletës, ndërsa sot kanë një biletë 20 për qind më të ulët, një shërbim shumë herë më dinjitoz, me autobusë ku kondicioneri punon e me sedilje të rregullta”

, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj tha se gjatë gjithë këtij muaji do të ketë disa inspektime të rastësishme në të gjitha linjat e Tiranës, për t’u siguruar që në qytetin e Tiranës ofrohet i njëjti shërbim.

“Kemi përmirësim, por kemi ende shumë punë për të bërë, ky është vetëm fillimi”,

theksoi Veliaj.

Veliaj gjate udhetimit ne nje prej linjave te transprotit urban (2)

Në maj të vitit 2016, Këshilli Bashkiak i Tiranës mori vendimin për riorganizimin e shërbimit të transportit qytetas. Ky vendim parashikonte që zonat e urbanizuara, pra 13 njësitë e reja administrative që iu bashkuan qytetit të Tiranës me ndarjen e re territoriale, të përfshiheshin me shërbimin e transportit qytetas. Kështu, në Tiranë janë shtuar katër linja të reja autobusësh, si dhe janë zgjatur disa prej linjave ekzistuese. Procesi i riorganizimit të shërbimit të transportit qytetas është duke vijuar./tvklan.al