“Një hapësirë e zaptuar që u rikthehet studentëve”

197 të rinj do të akomodojë godina e re e studentëve të mjekësisë që po ndërtohet. Punimet u inspektuan nga kryebashkiaku Veliaj i cili tha se konviktet që më parë ishin hapësira të zaptuara, sot po u rikthehen studentëve me kushte më të mira.

“Studentët e ardhshëm të mjekësisë dhe të infermierisë do të kenë një konvikt për t’u pasur zili. Nuk krahasohen fare as me konviktet e kohës sonë, kur ishim studentë jashtë. Po bëhen me teknikën dhe cilësinë më të fundit, si çdo konvikt tjetër në Perëndim”.

Bashkia po punon në disa kantiere, për rikonstruksionin e godinave të studentëve.

“Kemi hapur disa kantiere pune: po punohet në Universitetin Bujqësor, po punohet tek Inxhinieria e Mjedisit, tek Inxhinieria e Ndërtimit, pra në gjithë zonën e 21-shit, kështu që do të ketë disa kampuse, që kur të rinjtë të rikthehen në shtator apo tetor, në varësi kur do hapet shkolla, Tirana jo vetëm t’i ketë thënë lamtumirë Covid-it dhe pasojave të tërmetit, por studentët t’i mirëpresim në konvikte të çliruara nga zaptimet”.

Rezidenca Studentore Universitare numër 3 ka një sipërfaqe totale prej 3.452 metra katrorë. Në të do të ketë 79 dhoma, me 2 dhe me 3 shtretër. Në çdo kat do të ketë ambient gatimi dhe ngrënie. Gjithashtu është parashikuar lavantaria, dhomat e studimit dhe depot.

Tv Klan