“Përfaqësojnë të vjetrën, nuk sjellin ndryshim”

Nga Njësia 5 në kryeqytet, në takim me banorët e zonës, kryebashkiaku Erion Veliaj, njëherësh drejtuesi politik i Partisë Socialiste të Tiranës ka ironizuar strategjinë e fushatës së PD. Sipas Veliajt Partia Demokratike përfaqëson të vjetrën.

“Kanë marrë konsulentë të rinj, por janë po ata. Këshilltarët i thonë mos dil kurrë me Saliun, madje duhet ta heqim edhe nga ekranet këto 2 javë dhe pastaj do jetë prapë Saliu ai që do vendosë çfarë do ndodhë me atë parti, pasi t’i humbasë zgjedhjet për herë të 5-të. I mundëm në 2013-ën, 2015-ën, 2017-ën, 2021-shin. Miqtë e mi, kanë ndërruar gunën. Janë po ata”.

Veliaj u ndal edhe tek marrëveshja e Bashës me LSI.

“Këshilltarët i kanë thënë, “s’duhet të dalësh me Monika Kryemadhin”! “Po çfarë të bëj, – thotë ai, – si të mos dal me Monikën?! Unë isha te Plaza, bëmë koalicion…” “E di, por, ja, na del nga të gjitha sondazhet që është dramë. Saliun e urrejnë. Ilirin e urrejnë. Monikën e urrejnë. Ti thjesht s’duhet t’u kujtosh njerëzve Bashkinë e Tiranës dhe s’duhet të dalësh me Monikën”! E patë që LSI-ja s’pati hapje të fushatës, se ishin përgatitur të shkonin në shesh dhe pastaj e anuluan? Imagjino, i vjen turp nga aleatët”.

Më herët Veliaj u ndal edhe në Kombinat në një takim me banorët e zonës.

Tv Klan