Krahas shkollave të reja që po ndërton me fondet e veta, shumë shpejt bashkia e Tiranës do të nisë edhe ndërtimin e 5 shkollave të para të reja që janë pjesë e projektit partneritet publik-privat. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku ai tha se veç tre shkollave të reja që u hapën këtë vit arsimor, do të nisë edhe ndërtimi i 5 shkollave të reja, nëntëvjeçare dhe gjimnaze.
Këto 5 shkolla të para kryesisht do të ndërtohen në zonën Veri-Perëndimore të Tiranës, si Lapraka, Don Bosko apo edhe Kodër- Kamza, të cilat kanë dhe një dendësi shumë të madhe banorësh.
“Loti i parë i 5 shkollave sapo është miratuar, 5 shkollat e reja që do të fillojnë për punë ditësh do të jenë në zonën e Laprakës, tek Shqiponja, do të jenë në Kodër-Kamëz, në Institut Bujqësor dhe tek Don Bosko. Shkollat në Kodër-Kamëz dhe Institut Bujqësor janë terrene që do të jenë 2 shkolla me të njëjtin terren, pra edhe 9-vjeçarja dhe ngjitur me të edhe shkolla e mesme. Pra, në total 5 shkolla që adresojnë fluksin e popullsisë në një zonë jashtëzakonisht të dendur të Tiranës”,
tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Ai gjithashtu bëri të ditur se në shtator do të jenë gati dhe dy shkolla të tjera të reja që janë në proces ndërtimi dhe që gjithashtu do të ulin ndjeshëm numrin e nxënësve në shkollat ekzistuese dhe për rrjedhojë rrisin dhe cilësinë e mësimit në to.
“Në këtë shtator të 2018, do të mbarojë shkolla “Kosova”, një shkollë historike e Tiranës, që shkon nga një shkollë 4 vjeçare ushtrimore në një shkollë 9-vjeçare, që do doja t’ju ftoja të gjithëve për hapjen e shkollës “Kosova” dhe shkolla “Servete Maçi”, shkolla e famshme e muzikës së Tiranës. Pra nëse Liceu ka më shumë natyrë kombëtare, shkolla “Servete Maçi” ka natyrë lokale, një tjetër projekt fantastik që gjithashtu do doja t’ju ftoja dhe të shijonim një stoli besoj të arsimit në qytetin e Tiranës”,
shtoi Veliaj.
Në total numri i shkollave të reja do të shkojë në 22 në kryeqytet, nga të cilat 5 janë me investime të Bashkisë së Tiranës dhe donatorëve të ndryshëm (“Hoxha Tahsin”, “Ardian Klosi”, “Betim Muço”, që kanë përfunduar, dhe shkollat “Kosova” dhe “Servete Maçi” që janë në ndërtim) dhe 17 të tjera që do të ndërtohen sipas partneritetit publik-privat. /
tvklan.al