Kryebashkiaku i jep “çelësin e qytetit” ambasadorit të Katarit

Katari ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës së metropolit shqiptar, Tiranës dhe në ditët e vështira është gjendur pranë në përballimin e pasojave nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Kështu deklaroi kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë takimit të lamtumirës me ambasadorin e këtij shteti, Ali bin Hamad Al Marri.

“Kopshti që kemi bërë në Bllok, shkolla “Lasgush Poradeci”, shkolla në Pezë, “Jeronim De Rada” dhe më në fund lajmi i shkëlqyer për sheshin e Katarit që do të kemi në fund të Bulevardit të Ri, një donacion prej 11 milionë Eurosh nga qeveria e Katarit, do të mbeten jo vetëm kur mbarojnë mandatet tona si ambasadorë dhe si kryetarë bashkie, ndoshta në dhjetëra e qindra vitet e ardhshme”.

Ambasadori i Katarit nga ana e tij vlerësoi bashkëpunimin me bashkinë e Tiranës në realizimin e projekteve.

“Gjatë mandatit tim 5-vjeçar në Tiranë, kam gjetur një derë të hapur bashkëpunimi, falë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, me anë të të cilit kemi bërë shumë punë të mira dhe jam shumë i lumtur që ky bashkëpunim ka dhënë fryte të prekshme”.

Kryebashkiaku Veliaj dorëzoi ambasadorit në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe bashkëpunimin, i dhuroi çelësin e qytetit.

Tv Klan