“Ruhet identiteti historik i Tiranës duke rijetëzuar hapësirat”

Në Tiranë nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në zonat e shpallura monument kulture. Kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se është ruajtur  identiteti  historik i Tiranës, duke rijetëzuar hapësirat dhe godinat.

“Ne duam të ruajmë identitetin historik, duke konservuar ndërtesa dhe hapësira të rëndësishme; t’i japim jetë ndërtesave dhe hapësirave historike, dhe e treta, të investojmë në krijimin e një Tirane për të ardhmen, duke ndërtuar hapësira, por edhe ndërtesa bashkëkohore për 100 vitet e dyta të Tiranës Kryeqytet. Çfarë është vlerë për qytetin, do të mbetet vlerë për qytetin dhe asnjë ndërtim nuk është bërë në një monument kulture.”

Veliaj u ktheu përgjigje edhe kritikave për ndërtimin  e kullave në Tiranë

“Jo pak njerëz thonë se sfondi i Sahatit po shkatërrohet nga kullat që ndërtohen pas tij. Përgjigjja ime është e thjeshtë: për 30 vjet sfondi i Sahatit ishte “Torre Drini”, një kullë pa asnjë vlerë estetike dhe arkitekturore, ndërtim tipik barez i Italisë së Jugut. Jam gati të vë bast se sfondi i ri, i një hoteli me 5 yje, duke ruajtur dizajnin karakteristik, do të jetë shumë më dinjitoz mbas Sahatit, seç ishte “Torre Drini”. Xhamia e Et’hem Beut u restaurua dhe iu rikthye zemrës së Tiranës me një imazh super dinjitoz.”

Në rubrikën javore për informimin e qytetarëve, Veliaj u ndal edhe tek ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar.

 “Unë nuk jam kundër debatit, por jam kundër lajmeve të rreme, që pastaj shiten si fakte. Kjo administratë është votuar që të marrë disa vendime jo të lehta, por të duhura, përtej zhurmës së pakicës toksike dhe bllokuesve, duke parë drejt të ardhmes, për atë që do të jetë Teatri më i bukur në Ballkan, i ndërtuar me para publike, në tokë publike dhe i denjë për një metropol dhe ambicien që ne kemi për Tiranën, që të jetë kryeqendra e rajonit,”

Për kryebashkikaun Veliaj, Bulevardi i Ri, është një tjetër shembull i Tiranës së të nesërmes.

Tv Klan