Veliaj: Berisha e ka Bashkinë e Shkodrës, pse nuk i ka bërë atje gjërat falas?
Nga Njësia 1, ku u takua me banorët e zonës, Erion Veliaj tha se kush ka treguar se di të punojë për qytetin, mund të bëjë edhe pak më shumë.
“E di që ka ende shumë gjëra për të bërë por, kush i ka bërë 100 rrugë, bën edhe 100 të tjera; kush i ka bërë 19 çerdhe, bën edhe 29 të tjera; ata që kanë treguar se dinë të punojnë, mund të bëjnë edhe pak më shumë punë; por, ata [opozita] që s’kanë ndërtuar asnjë shkollë, që s’kanë prekur lopatë me dorë, ata që edhe pemët i kanë prej plastike, se i zë alergjia nga bishti i lopatës, nuk kanë asnjë shpresë.”
Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën në zgjedhjet lokale të 14 Majit, foli dhe për kundërshtarët e tij politikë.
“Kur dëgjoj këto muhabete, që do bëjmë falas këtë e falas atë, të duket sikur ajo parti ka dy programe: një program e ka për ata që i ka gënjyer dhe një program tjetër për ata që do të gënjejë. Ata që i ka gënjyer i ka në Shkodër, se aty e kanë Shkodrën dhe ju them: takova ca shkodranë rrugës, pse s’e bëjnë autobusin falas në Shkodër, pse s’e bëjnë çdo gjë falas në Shkodër? Na trego si e bën në një bashki që e ke, që ta kopjojmë edhe ne të tjerët. Duke qenë se ata i kanë gënjyer një herë, nuk i thotë dot dy herë. Kurse në Tiranë, ngaqë s’e ka konsumuar gënjeshtrën, e nis nga e para.”
Në vijim të rrugëtimit të gjelbër drejt 14 Majit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mbolli disa pemë me banorët e Njësisë 1 në kryeqytet. Kandidati i PS për Tiranën, Veliaj zhvilloi takim me banorët e njësive Pezë, Vaqarr dhe Ndroq.
Klan News