“KQZ të qartësojë vendimin për procesin e rindërtimit”

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve me një apel për të mos vepruar me dy standarte për procesin e rindërtimit.

Nga Farka ku dha çelësat e dy shtëpive të reja pas dëmtimit nga tërmeti, Veliaj kërkoi që vendimi i KQZ-së për ndalimin e veprimtarive për promovimin e punëve publike, të veprojë njëlloj për të gjithë.

“Ajo që po ndodh me kakofoninë e një vendimi të KQZ-së është shqetësuese sepse nuk mund të ketë dy rregulla: një për këtë anë të kodrës, ku jetojnë fukarenjtë, dhe një për anën tjetër të Farkës, ku jetojnë pasanikët. Pra, ky vendim i KQZ-së i lejoka pasanikët të marrin katër vila në vit pandemie dhe tërmeti, por nuk lejon që t’u jepet çelësi i shtëpisë familjeve që u prekën nga tërmeti. Kjo s’ka logjikë! Ligji është një për të gjithë”.

Veliaj shtoi se është detyrë e kryetarit të Bashkisë të kujdeset për ecurinë e punës dhe procesit të rindërtimit.

“KQZ-ja s’mund të jetë tryezë analistësh, por duhet t’i bëjë të qarta rregullat. Fakti që dikush para nesh, kur ishte kryetar bashkie fjeti gjumë, nuk do të thotë që gjumi duhet të bëhet i detyrueshëm për të gjithë. Nëse dikush do të flejë, le të flejë! Por, nëse dikush do të punojë dhe i hanë duart për punë, le të punojë! Si mund t’i thuhet dikujt mos puno 4 muaj?! Është detyrë e kryetarit të bashkisë të inspektojë punimet, të mbarojë procesin e rindërtimit”.

Kryebashkiaku i Tiranës kërkoi që KQZ-ja ta qartësojë njëherë e mirë këtë çështje.

Tv Klan