Mbi 10 mijë studentë janë pajisur me kartën e studentit. Ndërsa pa nga afër procesin e aplikimit në universitetin  Politeknik të Tiranës, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se shpërndarja do vijojë edhe gjatë muajve të verës.

“E kemi kaluar shifrën 10 mijë në të gjithë studentët e Tiranës, pra kemi nisur goxha mbarë. Shpresoj që deri në fund të qershorit, por edhe në korrik, kur vazhdon periudha e sezonit, do të kemi mundësi të bëjmë shpërndarjen e të gjitha kartave”.

Veliaj tha se është rritur numri i bizneseve për të ofruar shërbimet e tyre.

“Momentalisht kemi rreth 50-60 produkte ose ulje për shërbime publike të bashkisë, të Ministrisë së Kulturës, të enteve të tjera, kryesisht me fokus shërbimet publike për studentët, e thuajse po aq nga kompani private: kryesisht kancelari, dyqane veshjesh, supermarkete, restorante, dhe shërbime të tjera elektronike, që u vijnë në ndihmë studentëve”.

Sipas Kryebashkiakut Veliaj , projekti që nisi në Tiranë mund të ndiqet edhe nga bashkitë e tjera të vendit për të pajisur studentët me kartën e tyre.

Tv Klan