Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim ministren e Jashtme për Europën të Irlandës, Helen McEntee, me të cilën bisedoi mbi shtimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe qyteteve irlandeze, si dhe për një sërë bashkëpunimesh konkrete në fusha të caktuara dhe me interes për qytetarët e të dyja vendeve. Më pas ata mbollën edhe një pemë në parkun “Europa”, në shenjë të miqësisë mes dy vendeve, ndërsa kryebashkiaku Veliaj i shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Irlanda i jep Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se Irlanda është shembulli se si një vend me ekonomi të vogël është bërë sot një nga vendet me zhvillim të qëndrueshëm, nga i cili edhe Shqipëria ka çfarë të mësojë.

“Jam shumë i lumtur që ministrja e Irlandës për Evropën na vizitoi në Bashkinë e Tiranës dhe mbollëm edhe një pemë në kujtim të një marrëdhënie shumë speciale që kemi me Irlandën. Kemi një partneritet me Bashkinë e Dublinit dhe duam shumë që të mësojmë nga Irlanda, një vend që para disa vitesh ishte në një ekonomi modeste dhe sot është bërë një portë hyrëse e investimeve në Evropë”

, tha Veliaj.

Ai theksoi se kjo vizitë do të pasohet me një kalendar të detajuar aktivitetesh dhe bashkëpunimesh mes Tiranës dhe qyteteve irlandeze.

“Mezi pres që ky bashkëpunim, ky filiz i ri, ashtu si edhe kjo pemë e re që mbollëm, të mbijë, të hedhë rrënjë dhe të jetë një urë bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Irlanda është një mbështetëse fantastike e ambicies sonë evropiane dhe Irlanda është një provë se çfarë mrekullie mund të bëjë anëtarësimi serioz në Bashkimin Evropian dhe përfshirja në tregun evropian, qoftë për zhvillimin ekonomik të dijes dhe të kulturës. Kemi disa ide edhe për çështje të kulturës, të sportit dhe besoj që shumë shpejt do bëjmë një kalendar të përbashkët të këtyre shkëmbimeve, për të përfituar sa më shumë nga dashamirësia e qytetarëve, por edhe qeverisë irlandeze”

, shtoi Veliaj.

Ministrja irlandeze, Helen McEntee vlerësoi mikpritjen e Tiranës, ndërsa theksoi se pret që kjo vizitë t’i japë një impuls të ri bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Irlandës në përgjithësi, dhe Tiranës dhe qyteteve irlandeze në veçanti.

“Është absolutisht fantastike të jem këtu në Tiranë, bashkë me kryetarin e Bashkisë. Kjo është pjesë e vizitës sime, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy qyteteve e gjithashtu, edhe mes dy vendeve tona, por ajo çka është më e rëndësishme në përshpejtimin e procesit drejt integrimit evropian. Ne duam të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë sa i përket procesit të zgjedhjeve që zhvillohen këtë vit, por gjithashtu shpresojmë të gjemë ura të reja bashkëpunimi dhe projekte ku mund të punojmë bashkë. Mund të përmend disa projekte këtu në qendër të qytetit dhe me departamentet tuaja. Gjatë ditëve që kam qëndruar këtu, duhet të them se njerëzit janë të mrekullueshëm, ka qenë vërtet një eksperiencë shumë e ngrohtë e miqësore dhe qyteti ka shumë për të ofruar. Shpresoj realisht të kemi mundësinë për të punuar së bashku”

, tha ajo.

Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se falë këtij bashkëpunimi Tirana do të festojë edhe një nga festat më të rëndësishme irlandeze, atë të Shën Patrikut, gjatë së cilës Kulla e Sahatit do të ndriçohet me ngjyrë të gjelbër.

“Jam shumë i lumtur që Kulla e Sahatit do të jetë e gjelbër, në nder të festës, ndoshta festës më popullore dhe kombëtare të Irlandës që festohet në gjithë botën, ajo e Shën Patrikut. Ne kemi një tregti me Irlandën, kryesisht modeste, e pubeve të Tiranës që preferojnë birrën irlandeze, por unë besoj se është vetëm një fillim i mbarë i gjërave që mund të bëjmë në turizëm apo në gjithë shërbimet urbane. Edhe Tirana, ashtu siç filluam me Vitin e Ri Kinez, ashtu do vijojmë me Shën Patrikun dhe besoj që për një qytet si Tirana që ka sot mbi 100 kombësi, përfshirë edhe irlandezë, është e udhës që t’i festojmë festat e të gjithëve dhe të sillemi si një qytet realisht metropolitan”

, u shpreh Veliaj.

/tvklan.al