Transformimi që ka pësuar Tirana në 4 vitet e fundit po

tërheq jo vetëm vëmendjen e mediave të ndryshme botërore, por më së shumti emra

të njohur të fushës së arkitekturës dhe urbanistikës. Arkitektë e urbanistë të

njohur nga vendet e ulëta të Europës, të cilët u mblodhën në Roterdam në

takimin e organizuar nga revista prestigjioze botërore e arkitekturës

“Baumeister”, vlerësuan transformimin e madh që ka pësuar kryeqyteti shqiptar

vitet e fundit, ndërsa e përgëzuan Bashkinë e Tiranës për hapat e guximshëm që

ka hedhur në drejtim të realizimit të disa prej projekteve më bashkëkohore, si

në aspektin arkitekturor, ashtu edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar

në takimin e arkitektëve dhe urbanistëve, ku ndryshimi i Tiranës u bë pjesë e

diskutimeve, dhe prezantoi disa nga sfidat me të cilat u përball qyteti dhe

bashkia në menaxhimin e politikave të strehimit. “Jam

shumë krenar për Tiranën, për faktin që është përzgjedhur këtë vit nga

‘Baumeister’, revista më prestigjioze e arkitekturës dhe urbanistikës në vendet

e ulëta, si Belgjika, Holanda, Gjermania, ku vëmendja ka qenë tek transformimi

i qytetit. Jemi vlerësuar shumë sidomos për mënyrën se si kemi zgjidhur disa

çështje të strehimit me kreditë e buta, që targetojnë çiftet e reja që krijojnë

familje dhe fillojnë jetën e tyre profesionale në Tiranë”,
tha

Veliaj.

Ai theksoi se takime të tilla, ku Tirana prezantohet me

arritjet e saj pozitive në fusha si arkitektura dhe urbanistika, janë një

mënyrë e mirë për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, sidomos në vende

skeptike si Holanda. “Është posaçërisht kënaqësi

kur e bëjmë këtë në Holandë, një vend që duhet ta pranojmë, është skeptik, ka

nevojë për më shumë informacion, ka nevojë të kuptojë se Shqipëria është një

vend evropian, dhe rreziku nuk vjen nga Shqipëria e vogël kur sheh gjithë këto

transformime. Bëhet sfidë komunikimi i historisë së suksesit të Shqipërisë në

Holandë, sidomos kur kemi një pjesë të politikës që ka lidhje me Holandën dhe

që mundohet që sherret, mëritë, zemëratën, e debatet e Shqipërisë t’i kalojë

edhe në Holandë. Do të doja që të ishim një ‘antidot’ dhe do të jemi më të

pranishëm në Holandë me takime të tilla, për t’u siguruar që dëgjohet e gjithë

historia”
, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se është e rëndësishme që politikanë të

ndryshëm të Shqipërisë t’i shfrytëzojnë njohjet e tyre me vendet e europiane,

në rastin konkret me Holandën, për të prezantuar vendin tonë si një vend

proeuropian dhe të mos bëjnë politika që dëmtojnë mbi të gjitha interesat e

qytetarëve shqiptarë. “E kuptoj që lidhjen me

Holandën dhe njohjen që kanë me politikën këtu, disa politikanë e përdorin jo

si një mundësi për ta ngritur lart Shqipërinë, por si mundësi për ta sharë,

fyer e denigruar atë, por kjo duhet të marrë fund. Ndaj, besoj se si qytet, si

histori suksesi e Tiranës, platforma të tilla të arkitekturës dhe urbanistikës

janë një mundësi fantastike për të rrëfyer historinë e Shqipërisë
”,

shtoi ai.

Kryebashkiaku tha se është shumë e rëndësishme që e

gjithë klasa politike të bashkohet dhe të mendojë më shumë për interesat e

vendit se sa për interesat e ngushta të politikës së ditës. “Ne nuk jemi një vend perfekt, por jemi një vend

i cili ka kaluar një histori shumë të vështirë dhe sot ka nevojë që, përtej të

majtës dhe të djathtës, përtej PS-së dhe PD-së, të bashkohemi për të folur mirë

në gjuhë të huaj, sa herë vjen fjala për Shqipërinë. Ndaj, besoj se kolegët

holandezë, por edhe shumë prej mediave që po ndjekin zhvillimet në Shqipëri,

kanë arritur të kuptojnë se me shumë vështirësi po ecim përpara dhe nuk e

meritojmë gjithë lumin e baltës që disa shqiptarë vulëhumbur sjellin në Holandë

ose në vende të tjera skeptike. Sot na duhet që për çështje të interesit

kombëtar, për çështjet e Bashkimit Europian, për çështjet e avancimit të emrit

Shqipëri, duhet të jemi të gjithë bashkë
”, përfundoi ai. /tvklan.al