Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se PS ka nisur mobilizimin për fitoren e katërt të kryeministrit Edi Rama.

Në vijim të turit të mirënjohjes nëpër njësi, në prag të 33-vjetorit të PS, Veliaj nga Njësia 5 tha se ajo është e vetmja forcë që di të bëjë shtet dhe qytet. Ai komentoi edhe protestat e dhunshme para Bashkisë së Tiranës, duke goditur me molotov.

“Mendova që këto skena i kishin lënë tek Astiri,  mendova që i kisha harruar nga vitet ‘90. Ata janë po ata. Fakt që Shqipëria dhe Tirana ndryshon është meritë e forcës që udhëheq, Partisë Socialiste të Shqipërisë”, tha Veliaj.

Veliaj dha lajmin e mirë për ndërtimin e dy shkollave të reja në Njësinë 5 dhe 13. 

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Pas “Emin Durakut’’ ne do të punojmë për shkollën ‘’Dritëro Agolli’’, që është tek Parku Olimpik, kurse në anën tjetër të autostradës, te cepi i Kopshtit Botanik do të jetë shkolla 9-vjeçare, pra një 9-vjeçare dhe një gjimnaz. Besoj fort që do të shkojmë në zgjedhje me çdo premtim të mbajtur, me kokën lart, duke i parë njerëzit në sy.

Ai shtoi se PS është përballur në çdo projekt me pengesa të jashtëzakonshme nga ana e opozitës. Por sipas tij, falë punëve të bëra nga PS, vlera e pronës së qytetarëve  në njësinë 5 është trefishuar.

Klan News