Kryebashkiaku takon administratorët e pallateve

Në turin e tij për të parë ecurinë e investimeve të Bashkisë, Veliaj u ndal në Njësinë Nr.2. Ai inspektoi një prej pallateve përfituese nga Fondi e Komunitetit, dhe  u shpreh se falë këtij projekti do iu rritet vlera e pronës.

“Në çdo punë që kemi bërë ka pasur gjithmonë një minorancë që i ka kundërshtuar, por me të mbaruar kanë rënë dakord dhe asnjë nuk identifikohet me rezistencën e fillimit. Shtëpitë marrin vlerë, bashkia ndërkohë shtron rrugën me asfalt dhe nga ky pallat përfiton e gjithë mëhalla. Por, nëse rri vetë në një shtëpi që fut lagështirë, që s’është e veshur me kapot, ku fatura e energjisë shkon “fiu” si në verë për ftohje, ashtu edhe në dimër për ngrohje, i bën dëm vetës tënde”.

Kryebashkiaku kërkoi që të gjithë të jenë bashkëpunues në komunitet pavarësisht bindjeve politike.

“Ti mund të rrish me partinë tënde, voton kë të duash ti, por mos ngatërroni partinë me familjen, se partia numër një është familja. Për sa kohë janë 30 familje, 28 bien dakord, janë 2 që thonë ‘Jo’, – ngaqë janë me filan parti, – ‘unë do të rri në të ftohtë ose në lagështirë’, kjo është një marrëzi. Partia numër një është shtëpia jote, familja jote, gjaku yt, pastaj vijnë partitë e tjera. Unë e kam për shumë krenari që jam socialist, por nuk them jam gati të më pikojë tarraca për partinë, veç ai i partisë tjetër të mos ma rregullojë”.

Deri më tani, nismës së Fondit të Komunitetit i janë bashkuar 50 pallate, banorët e të cilave, në bashkëpunim me bashkinë, investojnë në riparimin e ndërtesës së amortizuar nga koha.

Tv Klan