Kryebashkiaku u përgjigjet akuzave për Sharrën

Përpara socialistëve të Vorës, kreu i socialistëve të qarkut të Tiranës kërkoi që votat në 14 Maj të shkojnë për kandidatët e mazhorancës duke shigjetuar rivalët e prezantuar nga opozita.

“Të mos gjesh dot një kandidat nga Vora, por ta sjellësh kukullën nga Tirana? Mjeshtrat e kukullës janë Iliri me Saliun. Vendosin një buratin këtu, atje në Rrogozhinë nuk gjenin kandidat, e kanë çuar nga Kavaja…, kandidatë që u vjen zor që të dalin me liderët e tyre. Çfarë turpi”.

Veliaj kërkoi mbështetje për kandidatin socialist Blerim Shera duke u shprehur se qytetarët nuk kanë alternativë tjetër.

“Si mund të votosh për ata që na hodhën në erë! Si mund të votohet një forcë politike që vetëm bastis, vetëm tradhton dhe vetëm shkel në besë. Si mund të votohet dhe duhet t’i thuhet demokratëve, një forcë që financohet nga rusët”.

Më herët në një mesazh drejtuar qytetarëve, Veliaj iu përgjigj akuzave të opozitës për inceneratorin e Sharrës. Sipas tij qytetarët shpëtuan nga ndotja e djegies së mbetjeve.

“Ai realitet i zymtë, që i ngjante një zone lufte, me atë renë e zezë veshtullore të kancerit në Tiranë, sot nuk ekziston më, i takon të kaluarës. Ne paguajmë shërbimin për çdo ton të plehrave që ka prodhuar qyteti, sipas kontratës. Ky shërbim, pra jo investimi, ne paguajmë shërbimin, paguhet me çmimin më të ulët në Europë sot dhe me një çmim më të ulët se propozimi i një projekti që e kishim në këtë zyrë vetëm për depozitim mbetjesh”.

Veliaj vlerëson se pastërtia e qytetit mbetet në interesin kryesor të qytetarëve.

Tv Klan