“Këshilli Bashkiak vendos për shembjen e godinës 15 në QS”

Kushdo që pengon evakuimin dhe rrezikon jetën e banorëve do të ndiqet penalisht. Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se në situatë emergjente rëndësi ka vetëm siguria e banorëve nga objektet që janë cilësuar të rrezikshme.

“Dhe kur je në një situatë të vështirë emergjence dhe fatkeqësie natyrore, politika e vjetër nuk heq dorë; skenat që pashë mbrëmë, ku një ish-deputete shkonte dhe therej me policinë dhe zjarrfikësen, ishin të pashembullta. Ky nuk është momenti për të bërë politikë. Do të vijnë në 2023 zgjedhjet lokale dhe le të fitojë më i miri, nëse nuk e bëjmë mirë këtë punë. kështu që nëse më parë këta personazhe i kam çuar dhe i kam paditur në gjykatë për shpifje dhe i kam fituar ato beteja, kësaj here do t’i padis penalisht, nëse dikush pengon zjarrfikësen apo policinë që të bëjë evakuimin dhe rrezikon jetën e banorëve do të paditet penalisht”.

Gjatë mbledhjes së të enjtes, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar vendimin për shembjen e godinës nr. 15 në Qytetin Studenti, e cila u shpall e pabanueshme pas dëmeve nga  tërmeti i 26 Nëntorit .

“Kemi marrë tre akt konstatime nga Instituti i Ndërtimit, të cilat dëshmojnë se godinat nr. 15, 18 dhe 19 në “Qytetin Studenti”, janë dëmtuar përtej asaj se ç’mund të riparohet, kanë dëmtime në strukturë. Janë tre godina të cilat nuk banohen nga studentë, janë tejet të amortizuara, të zaptuara prej 30 vitesh, që nga viti 1991. Kjo është arsyeja pse dua që të kërkoj miratimin e Këshillit Bashkiak për çmontimin e kësaj godine”.

Përsa i përket familjeve që janë strehuar në atë godinë, kryebashkiaku Veliaj bëri tha se ato do të trajtohen me bonus qiraje, si të gjitha familjet e tjera të prekura nga tërmeti.

Tv Klan