“Ndikon në ekonominë e qytetit”

Viti 2019 shënoi rritje me 35 % të turizmit në Tiranë. Gjatë një takimi me përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të guidave turistike, kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se turizmi duhet të kthehet në burimin kryesor të ekonomisë në kryeqytet.

“Vjet ishte viti i parë kur patëm më shumë turistë që vizituan Tiranën sesa banorë. Thyerja e këtij rekordi na bën jashtëzakonisht optimistë. Tirana sot renditet në një nga qytetet kryesore për “city break”, pra një pushim qytetas, jo plazhi, jo mali, pra jo të një jete rurale, por të një 3-ditëshi, që ndryshe quhet edhe si fundjavë e gjatë. Një nga gjërat që duam të bëjmë për të ndihmuar guidat është shtimi i ‘menusë’, ndaj në këto 5 vite jemi përpjekur të shtojmë pikat turistike.”

 Sipas Veliajt, zhvillimi i vendit kërkon që të lihen pas betejat politike.

“Më vjen keq pse për të bërë punë të bukura, duhet kaq shumë stres. Mbaj mend kur filluam punën te kalaja, thanë: Po prishet trashëgimia! U thashë: Cila trashëgimi? Se ne po heqim ferrat.  Ndaj, vjen një moment kur duhet t’i lëmë politikën, partitë, histeritë, këto çudirat shqiptare dhe të themi: A ka mundësi të vëmë dorë dhe të rregullojmë sa më shumë hapësira të tilla? Unë mezi pres që ta kemi më në fund turizmin si një pjesë të qenësishme të ekonomisë së Tiranës, potenciali ynë i rritjes është te turizmi”.

Në kuadër të Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë, Bashkia do të organizojë mbi 1 mijë aktivitete.

Tv Klan