Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet për projektin transformues në zonën e Kombinatit e cila do të ofrojë kushte të përshtatshme dhe bashkëkohore për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti i 2019.

“Qëllimi është të bëjmë një punë për së mbari! Na duhet që të shkojmë te mbi 1 mijë apartamente për ta mbyllur përfundimisht historinë e tërmetit dhe për t’u siguruar që viti buxhetor 2024-2025 është viti kur ne i japim fund një prej dramave më të mëdha, të cilën nuk e shkaktoi qeveria e bashkia, por natyra dhe mënyra si tërmeti solli shumë dëmtime. Pyetja është: jo si rrëzohemi, por sa shpejt dhe si ngrihemi. Në kohë rekord prej 5 vitesh dhe me një ngritje cilësore, me këto apartamente nuk fillon vetëm një shtëpi e re, fillon një jetë e re, një komunitet i ri dhe një lagje e re për Kombinatin tonë.”

Veliaj vuri në dukje se pas përfundimit të kolaudimeve dhe infrastrukturës bazike do të hidhet shorti publik për përzgjedhjen e njësive të reja të banimit.

“Ne do bëhemi gati të hedhim shortin. Unë do pres 10-12 ditë, le të themi dy javë, që ju të mbaroni me kolaudimet, kolektorët, me lidhjet me ujërat e zeza, ujërat e bardha, ujërat e shiut. Pra, të mbaroni me gjithë infrastrukturën bazike, të hapim dy kampuset e para. Nëse shikoni, nuk dallon fare nga “5 Maji”. Në mos them që në çdo ndërtesë mësojmë diçka dhe bëjmë diçka më mirë se ndërtesa paraprake.”

Në Kombinat janë parashikuar të ndërtohen objekte banimi me 6 dhe 8 kate dhe do të ketë sheshe urbane ndërthurur me banesa, pedonale dhe rrugë për biçikleta.

Klan News