Nga Rrogozhina, drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj paralajmëroi humbjen e radhës së opozitës. Në takimin me strukturat e PS në këtë zonë, Veliaj tha se opozita nuk ka ide dhe se e vetmja aleterantivë që u ofrojnë qytetarëve janë djegia e gomave.
Erion Veliaj, drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës: Qartazi ata nuk kanë asnjë dhe për aq kohë sa si talibanë, djegin gomat dhe me zjarr dhe molotov mundohen të artikulojnë ato që ndoshta nuk dinë t’i thonë me gjuhë. Ne do të vazhdojmë të qeverisim, do të vazhdojmë të fitojmë, do të vazhdojmë të kontribuojmë dhe të fitojmë sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër.
Nuk i kurseu ironitë për kryetarin e PL, Ilir Meta.
Erion Veliaj, drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës: Një karikaturë totale e mënyrës se si degradon njeriu dhe s’e kupton se ka humbur lidhjen me njerëzit, e ka humbur lidhjen me realitetin.
Veliaj shprehu mbështetjen e tij për drejtësinë, duke thënë se kushdo që punon do të japë edhe sqarime për punën që bën.
Erion Veliaj, drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës: Është shumë e rëndësishme që në demokraci ne të kemi edhe marrëdhënie të konsoliduar me drejtësinë. Sigurisht që ai që punon duhet të japë edhe llogari për punët që ka bërë, duhet të japë sqarime, por ne nuk jemi me dy fytyra. Në një rrugë të thuash bravo drejtësia dhe vazhdo merru me bashkitë dhe në një rrugë tjetër të thuash poshtë drejtësia sepse më ka arrestuar babin në arrest shtëpie.
Teksa vendi po regjistron rritje të numrit të turistëve, Veliaj tha se qeveria në bashkëpunim me bashkitë do të vijojnë investimet për të ndihmuar edhe më tej zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Klan News