Kryebashkiaku mohon se takimet u bënë për fushatën e 25 Prillit

Edhe pse procesi i votimit ka përfunduar tashmë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka shkuar në Farkë të vizitojë familjet që kanë hyrë në shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit të Nëntorit 2019. Ai tha se akuzat se rindërtimi po përdorej për fushatë ishin të pavërteta.

“Ka shumë njerëz që thonë: ‘Hë se këto bëhen për fushatë’ – por ne jemi menjëherë në terren duke vazhduar kantieret që ditën mbas fushate. …. E kishim fushatë para një jave, e kemi tani një javë mbas zgjedhjeve. Do ta kemi gjatë verës, kur njerëzit do të shkojnë me pushime, dhe kur të vijnë do ta gjejnë Tiranën, me shumë prej infrastrukturave të rëndësishme në përfundim, sidomos në shkollat e reja që ne presim t’i hapim në shtator”.

Veliaj kërkoi edhe bashkëpunimin e kundërshtareve pasi sipas tij kështu ecet më shpejt.

“Populli foli, na dha një fitore të qartë për të vazhduar do të thotë që kemi lidhur një kontratë pune për këto 4 vite që do të punojmë akoma më shumë seç punuam këto vite. Me shokët e opozitës duhet të thuash:  Çfarë ndodhi, ndodhi, çfarë u tha, u tha, çfarë gomash u xhiruan dhe çfarë poçash u thyen nuk ka problem. Kur them unë rraqe janë dhe mund t’i zëvendësojmë prapë, por tani na duhet që për të mirën e Farkës të jemi të gjithë bashkë dhe të ecim përpara”.

Me rindërtimin në Farkën e Madhe kanë përfunduar 112, teksa në Lundër janë drejt përfundimit edhe 37 shtëpi të tjera.

Tv Klan