Ndryshimi që ka pësuar Tirana në tre vitet e fundit është pritur si histori suksesi edhe në takimin e arkitektëve irlandezë, i mbajtur dje në Dublin. Kryebashkiaku Erion Veliaj, ishte i ftuar në takimin e përvitshëm të Fondacionit Irlandez të Arkitekturës me temë “Neë Noë Next”, për të prezantuar projektet që transformuan Tiranën dhe punën e bërë në tre vitet e fundit. Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri apo Bulevardi i Ri, ishin disa nga projektet për të cilat arkitektët irlandezë shfaqën interes, kurse Veliaj theksoi se ndryshimi i nisur në Tiranë do të vazhdojë me disa projekte të tjera si rigjallërimi i Piramidës.
“Ishte një kënaqësi e veçantë që prezantova disa projekte shumë cilësore të Tiranës, si transformimi i Piramidës apo Teatri i ri Kombëtar. Më në fund po e shohim Shqipërinë përtej atyre cic-miceve të vogla, në një arenë ndërkombëtare, ku shumë prej këtyre artistëve dhe arkitektëve, me krijesat arkitekturore në Tiranë, po e vënë qytetin tonë në hartë. Sa më shumë dalim përtej bahçes tonë, të zënkave të vogla, kuptojmë reputacionin që po fiton Tirana dhe Shqipëria, puna e bashkisë dhe puna e qeverisë, çka na ndihmon të fokusohemi, të ecim përpara me gjërat që na bëjnë bashkë dhe jo të përçahemi për cic-mice të vogla
”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj theksoi se tashmë një sërë projektesh arkitekturore të realizuara në këto vite në Tiranë, janë shndërruar në pasaporta prezantuese të kryeqytetit në shumë takime dhe forume ndërkombëtare. “Sot tregojmë histori suksesi sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, këndin e lodrave te Liqeni, Bulevardin e Ri, që gjithashtu filluan me histori sherresh, por sot janë bërë kartolina jonë. Le të vazhdojmë me kartolina të tilla, le të vijojmë transformimin e qytetit tonë”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku shtoi se suksesi në transformimin që ka shënuar Tirana merr një rëndësi të veçantë për faktin se ai vjen si rrjedhojë e një pune dhe kontributi të të gjithë qytetarëve.
“Nuk është një histori suksesi që i kushtohet një buxheti të madh apo një ushtrie njerëzish, por që i kushtohet një qyteti të tërë, i cili është mobilizuar për të mbjellë pemë, për të mbajtur pastër, për rregullimin e kopshteve dhe çerdheve, kontribuojnë në ditët pa makina, në aktivitete sportive, këndet e lojërave, në transformimin e zonave urbane. Himni i Tiranës është himni i një skuadre që punon”,
vijoi Veliaj.
Sipas tij, një meritë të madhe për gjithë këtë histori suksesi i takon qytetarëve të Tiranës, të cilët në shumicën e tyre kanë mirëpritur dhe mbështetur nismat e bashkisë. “
Unë nuk besoj të ketë një qytet tjetër që të ketë ndryshuar aq shumë sa Tirana në 27 vitet e fundit, ndaj më jep kënaqësi të veçantë që e ndaj këtë histori dhe më bën të ndihem krenar që jam një ndër 1 milion qytetarët e Tiranës, ku të gjithë bashkë e trajtojmë qytetin si shtëpia jonë e përbashkët; ashtu siç kujdesemi për shtëpitë tona, ashtu kujdesemi për Tiranën”,
tha kryebashkiaku.
Gjatë qëndrimit në Dublin, kryebashkiaku Veliaj u prit në një takim të veçantë edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Coveney, me të cilin diskutoi mbi shtimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy kryeqyteteve, ndërsa theksoi bindjen se Shqipëria e meriton plotësisht hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE.
“
Pata kënaqësinë e veçantë të takoja ministrin e Jashtëm, zv/kryeministrin e Irlandës, mbështetës të flaktë të negociatave të hapura me Shqipërinë për integrimin në BE. Shqipërisë i duhet çdo mik, Tiranës i duhet çdo mik, dhe më vjen mirë që Irlanda, një histori suksesi se si një ekonomi totalisht rurale, me një emigracion shumë të madh, kryesisht në SHBA dhe në Angli, shumë e ngjashme me Shqipërinë, u bë një histori suksesi falë përkushtimit në integrimin në Bashkimin Europian. Shembulli i Irlandës apo i Dublinit, që ashtu si Tirana është shtëpia e 1/3 së popullsisë dhe 50% e ekonomisë së vendit, mund të jetë motor i zhvillimit dhe integrimit të vendit. Kemi nevojë dhe i meritojmë këto negociata, si mënyrë për të dëshmuar vokacionin tonë europian dhe për të vazhduar me ritme akoma më të shpejta zhvillimi”,
tha Veliaj.
“New Now Next” është një program i hartuar nga Fondacioni Irlandez i Arkitekturës (IAF) dhe i mbështetur nga Arup. Qëllimi është të sjellë agjentë dinamikë në të ndërtuar mjedis në Dublin, për të frymëzuar audiencat, të cilët janë të interesuar në kërkimin dhe dizajnin inovativ dhe zhvillimin e ndërtesave, qyteteve dhe ndikimin e tyre tek njerëzit. “Neë Noë Next” kërkon të shpërndajë ide të reja, në lidhje me çështjet bashkëkohore që mund të ndikojnë në gjeneratën tjetër. /
tvklan.al